16 Tetor, 2018 - 3:00 pm
Alberina Haxhijaj
Sot në Prishtinë ka filluar konferenca shkencore ndërkombëtare “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes”, shkruan KultPlus.
Në Prishtinë për dy ditë rresht në kuadër të kësaj konferencë do të bëhen së bashku studiues të cilët para të pranishmëve do të lexojnë kumtesat e tyre të cilat në fokus kanë jetën dhe veprimtarin e Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.
Në mesin e studiuesve të cilët do të lexojnë kumtesat e tyre janë: Aurel Plasari, Gjon Berisha, Muhamet Mala, Pal Fodor, Ksenofon Krisafi, Antal Molnar, Pranvera Bogdani, Eduart Caka, Pëllumb Xhufi, Evalda Paci, Iljaz Rexha, Qerim Lita, Bedri Muhadri, Dominik Qërimi, Jusuf Buxhovi, Skënder Blakaj, Jakup Krasniqi, e shumë studiues të tjerë.
Drejtori i Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Sabit Syla, tha se organizimi i kësaj konference bëhet për ta kujtuar dhe respektuar Skënderbeun. Skënderbeu sipas tij u bë frymëzim për shumë fusha duke përshirë këtu edhe letërsinë dhe artin pamor po jo vetëm, pasi që, edhe shumë institucione mbajnë emrin tij.
“Sot kur përkujtojmë 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar është shumë e rëndësishme që të theksohet dashuria dhe respekti që gëzonte Skënderbeu nga të tjerët dhe roli i tij bashkues pasi që kujtimi i Skënderbeut jetoi jo vetëm në zemrën e popullit ku lindi por mori edhe përmasa evropiane”, theksoi ai.
Në anën tjetër kryetari i Komisionit Ndërministror për vitin Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Jahja Lluka u shpreh se deri tani janë organizuar shumë aktivitete për të shënuar këtë vit mbarëkombëtar por aktivitete të tilla nuk do të mungojnë as në pjesën tjetër të viti që ka mbetur.
“Përmes këtij organizmi të mirëfilltë shkencor ju jo vetëm që do të nxirrni në pah të vërteta të reja historike dhe shkencore por edhe do të përcillni porosinë e madhe të Gjergjit ‘Bashkimi bënë fuqi’”, u shpreh Jahja Lluka, para studiuesve të pranishëm të cilët do të lexonin kumtesat e tyre sot.
Ministri i Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë , Shyqiri Bytyçi u shpreh se Gjergj Kstrioti-Skënderbeu është njëri nga figurat më te respektuara të historisë.
“Si figurë unifikuese ai ka qenë dhe gjithmonë do të mbetet adresa kryesore e identifikimit të popullit shqiptarë. Skënderbeu si njëri nga strategët më të njohur të artit luftarak për 25 vite rresht arriti që të vë themelet e shtetit mesjetar shqiptar edhe përkundër se ai u ndesh me ushtrinë më të madhe të kohës, për afër gjysmë dekade ishte i pathyeshëm”, u shpreh ai.
Ndërsa akademik Marenglen Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë tha se në këtë konferencë dhe në tjetrën që do të mbahet pas disa ditësh në Tiranë, studiuesit do të sjellin të dhëna të rëndësishme albanologjike të cilat në fokus do të kenë Skënderbeun.
Nesër në kuadër të këtij organizmi duke filluar nga ora 11:00 në amfiteatrin e Madh të Bibliotekës Kombëtare do të bëhet edhe promovimi i disa librave kushtuar Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut dhe Mesjetës./ KultPlus.com