17 Tetor, 2018 - 10:19 pm
Derisa në Kosovë po rikthehet debati i grave të dhunuara gjatë luftës së fundit, çdo eksperiencë e treguar apo e njohur është tmerruese për secilin që e dëgjon dhe e lexon atë.
Rasti i Vasfije Krasniqit së fundmi bëri që populli të këndellet e ta kuptojë edhe njëherë vuajtjen e grave të dhunuara.
Një rast tjetër i tmerrshëm, që rrënqethë trupin sa herë përmendet, është ai i Vjollca Salihut. Ajo u dhunua dhe mbeti e paralizuar në luftën e vitit 1999, por jetoi deri në vitin 2006 kur ndërroi jetë.
Fotografia: Valerie Plesch
Në një fotografi botuar në prill të këtij viti nga NPR, nëna e saj Sanije Salihu tregon më shumë.
“Ajo u dhunua dhe u rrah gjatë vitit 1998-1999 dhe u la e paralizuar. Po të kishte vdekur në luftë, Kosova do ta vajtonte. Më dhem zemra që shkoi vajza sikur asgjë” tregonte nëna e Vjollcës, Sanija.
“Ajo ishte realiste, i zgjidhte problemet me logjikë e jo me emocione” tregon nëna e saj. Vjollcës iu dëmtua pjesa e shpinës dhe gjenitalet ndërsa trupi i saj ishte i mbuluar në cigare. Ajo doli nga shtëpia në vitin 1998, për të blerë ushqim, por nuk u kthye kurrë.
“Mjeku më tha se vajza ka shpëtuar, por ndoshta më mirë të mos kishte shpëtuar në gjendje të tillë” tregon Sanije Salihu.
Sanija, heroinë prej nëne, u kujdes për Vjollcën deri në moshën 28 vjeçare kur ajo ndërroi jetë pas një infeksioni dhe në gjendje të tillë. / KultPlus.com