Ministri Gashi flet për KultPlus, tregon çfarë do të ndodhë me objektin e Gërmisë

24 Tetor, 2018 - 1:26 pm

Gili Hoxhaj

Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj dje ka marr një vendim në lidhje me objektin e njohur si “Gërmia”, për shpronësimin e këtij objekti në të cilin është e vendosur Administrata Tatimore e Kosovës , kurse tashmë do të jetë në menaxhimin e Komunës së Prishtinës.

Lidhur me shndërrimin e këtij objekti në sallë koncertale, ka pasur shumë polemika e debate që kur Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë ka ndarë 15.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian për ndërtimin e kësaj salle, ndërsa një nga kushtet themelore të financimit të ndërtimit ka qenë pikërisht që salla të jetë në një lokacion të qasshëm siç është objekti i Gërmisë.

Polemika kryesisht kanë qenë për shkak se shndërrimi i këtij objekti në sallë koncertale mund të dërgojë tek rrënimi i këtij objekti apo do të mund t’i humbas vlerat e trashëgimisë kulturore këtij objekti, i cili më pas me vendimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ishte nën mbrojtje të Përkohshme të Trashëgimisë Kulturore. Kurse Haradinaj, dje pas vendimit tha se kanë shpronësuar këtë ndërtesë për adaptimin e saj për Sallë Koncertale, duke ruajtur stilin arkitektonik si pjesë e memories, sipas kërkesës së komunitetit të artistëve.

Ministri Kujtim Gashi tha se javë më parë kanë ardhë tek vendimi për futjen në nën mbrojtje të Përkohshme të Trashëgimisë Kulturore duke shqyrtuar propozimet e ekspertëve të fushës, ndërsa dhe ky objekt do të trajtohet në proporcion me legjislacionin në fuqi që e mbulon fushën e trashëgimisë kulturore. Ai tha se shpronësimi i objektit nuk e dëmton objektin i cili tanimë do të kaloj nga një pronar tek një pronar tjetër, dhe derisa do të jetë në mbrojte, ai do të trajtohet me ligjet përkatëse dhe si i tillë do të jetë i pandryshueshëm.

“Futja në ligj të mbrojtjes do ta ruaj tërësinë e objektit kurse adaptimi brenda për sallë koncertale dhe shfrytëzim për aktivitete të tjera është çështje e ekspertëve të fushës së arkitekturës të cilët duhet ta model ajojnë një zgjidhje, përndryshe unë i garantoj të gjithë qytetarët veçmas komunitetin artistik se objekti ashtu siç duket sot do të duket përgjithmonë pasi që tanimë ka marrë trajtimin ligjor nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, u shpreh Gashi për KultPlus.

Gashi tutje tha për KultPlus se objekti do të kalojë në menaxhim të Komunës së Prishtinës, por objekti do të ketë trajtim ligjor dhe do të ruhet në tërësi. “Ne do ta bëjmë mbikëqyrjen dhe trajtimin e këtij objekti sipas ligjeve në fuqi që e mbulojnë pjesën e trashëgimisë kulturore, pra do të jemi shumë konciz dhe strikt që të mos lejojmë ndërhyrjen e objektit të “Gërmisë””, u shpreh Gashi për KultPlus.
Objekti i ish shtëpisë së mallrave “Gërmia”, ndërtuar nga viti 1970 -1972 bazuar në projektin e arkitektes Liljana Rashevski është qendra e parë tregtare në Prishtinë. Ajo është një nder objektet më ikonike të modernizmit në qytetin e Prishtinës dhe si tillë është pjesë e pandashme e kujtesës kolektive të saj./ KultPlus.com

Të ngjajshme