26 Tetor, 2018 - 5:07 pm
Nga Elvi Sidheri
Qysh në udhëtimin tim të parë në Stamboll, shumë vite të shkuara, më pati qëlluar që veç shumë nuancave të tjera të trashëgimisë shqiptare në këtë qytet dy-kontinentësh, të më binte në sy një lagje piktoreske, fisnike dhe krejtësisht e mahnitshme si Arnavutkoy, thënë copë në shqip “Fshati i shqiptarëve”.
Problemi qëndronte në faktin se thuajse asnjë guidë turistike turke nuk e përmendte praninë shqiptare në këtë lagje karakteristike dhe të kamur, duke u mjaftuar me shpjegime rrethanore që maksimumi pranonin se në këtë zonë dikur patën jetuar “Rumët”, siç turqit quanin tërë të krishterët ortodoksë, duke mos u përmendur shqiptarët askund, veç sigurisht, emrit të lagjes.
Por ndërkohë, gjërat janë ndryshe.
Arnavutkoy njihet si një lagje që ngërthen në vetvete mjaft më shumë seç shpërfaqet në emrin e saj. Aty puqen tërë ngjyrimet e paqta të Stambollit. Një lagje ku gjithkush dëshiron të jetojë dhe të shëtisë, një zonë ku spikat arkitektura tradicionale e bregut të Bosforit.
Kjo ndërthurje hareje dhe elegance përbën edhe vetë fytyrën e lagjes. Vilat hijerënda të periudhës osmane, shtëpitë madhështore të zyrtarëve osmanë dhe vendbanimet e elitës së Stambollit në shekuj.
Një lagje gjelbëruar, me brigje të mahnitshme dhe plot vreshta, Arnavutkoy dikur pati qenë vendbanimi i shumë ndër Vojvodët e Moldavisë (Moldavia është qeverisur nga shqiptarët për shumë kohë, qysh nga periudha e Vojvodës me origjinë shqiptare Vasile Lupu mes viteve 1634-1653 dhe rreth viteve 1820 burimet e kohës tregojnë për 90 tregtarë nga Arnavutkoy që jetonin tokat e Vllahisë dhe që ishin me origjinë shqiptare).
Prirja për të qenë një lagje moderne dhe kozmopolite nuk ndryshon as në ditët e sotme, sepse Arnavutkoy vijon të shquhet për peizazhet mbresëlënëse, me rrugë të shtruara me pllakëza guri dhe vilat e bardha buzë Bosforit.
Emri i kësaj lagje gjithaq ka rëndësinë e vet të pamohueshme.
Ndonëse të dhënat janë të ndryshme, një syresh tejet e njohur vjen nga koha e Sulltan Mehmet Fatihut, i cili pasi pushtoi Konstadinopojën, më tutje, me shumë mundime arrin të pushtojë edhe Arbërinë vite pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Si politikë ngulitje popullsish, ai e quan këtë lagje si Arnavutkoy për shkak të origjinës së banorëve nga Arbëria që pati sjellë për ta ripopulluar këtë zonë pas shkretimeve të luftës dhe pushtimit të Konstandinopojës.
Të tjera burime ia taksin emrin e lagjes jeniçerëve në shumicë me origjinë shqiptare që ishin të ngarkuar me mbrojtjen e sulltanit, të cilit do të themelonin këtë vendbanim të mrekullueshëm.
Ndërsa sipas një tjetër gojëdhëne, emri i lagjes i detyrohet punonjësve specialistë të sjellë nga Shqipëria për të shtruar rruginat karakteristike të lagjes gjatë periudhës së Sulltanit Abdylmexhid. E jo rastësisht, kjo gjë të kujton “Arnavut Kaldırımı” që nuk është gjë tjetër veç “kalldrëmit”, fjalës turke që kemi trashëguar edhe neve në gjuhën shqipe, duke harruar që vetë turqit, këtë mënyrë shtrimi të rrugëve, e bashkëngjisin me fjalën “Shqiptar”.
Emri i parë i këtij vendbanimi sakaq mendohet të ketë qenë Hestia, më tutje Promotu për shkak të konsullit romak Promotus dhe Anaplous.
Pas pushtimit të Konstandinopojës nga osmanët, në lagje, krahas shumë shqiptarëve dhe të krishterëve të tjerë (përfshirë argjendarët armenë), do të kishte edhe një prani hebreje.
Në Stambollin e sotëm, Arnavutkoy përbën një nga pjesët e vetme të brigjeve të Bosforit që kanë mbetur të paprekura, ku ndihet akoma burimor shpirti i kësaj lagje tradicionale, karakteristikat njësore arkitekturore tërësisht të pandryshuara.
Godinat e drunjta buzë Bosforit, ndërthuren njëra me tjetrën të ndara nga rrugina të ngushta.
Nëpër lagjen që ende ka mbetur e paprekur nga zhurmat dhe smogu i qytetit, dëgjohen veç zërat gazmorë të fëmijëve dhe shpotitë e shitësve nëpër dyqane.
Rruginat e ngushta e të thepisura të lagjes gëlojnë nga vizitorët dhe vijojnë të jenë dekori i preferuar i Bosforit për fotografi të paharrueshme.
Arkitektura e veçantë e shtëpive dhe vilave të lagjes e mbështetur në stilin Art Nouveau të viteve 30 të shekullit të shkuar, i jep Arnavutkoy një hijeshi të natyrshme dhe një harmoni të rrallë që përthithet në çdo kënd të kësaj lagje.
Ndërkaq, në ujrat përballë Arnavutkoy ndodhet edhe pika më e thellë në krejt Bosforin, që arrin në njëqind metra thellësi në Akıntiburnu, ku gjithashtu rrjedh një rrymë aq e fortë saqë dikur për t’u kthyer varkat dhe anijet, nevojitej të tërhiqeshin me litarë nga bregu.
Ndër godinat më historike të Arnavutkoy hasim ndërtesën e Robert College, institucioni arsimor më i hershëm amerikan jashtë SHBA (themeluar në vitin 1863), kishën ortodokse Taksiyarhis që daton qysh nga periudha bizantine dhe ngrihet pranë një burimi me ujë të bekuar shërues dhe xhaminë Tevkifiye.
Ky ishte një përshkrim i shkurtër i kësaj lagje kaq të rëndësishme për Stambollin, por gjithaq edhe për trashëgiminë shqiptare për të cilën dimë kaq pak, veçanërisht për Fshatin Shqiptar, siç përkthehet në shqip Arnavutkoy, kjo lagje në venat e të cilës rrjedh historikisht gjak i pastër shqiptar.
Vizitojeni, nëse ju bie udha në Stamboll. /KultPlus.com