31 Tetor, 2018 - 4:55 pm
KultPlus po vazhdon me ngjarjet e ndryshme kulturore.
Pas festimit të pesëvjetorit, KultPlus me datë 5 nëntor, duke filluar nga ora 14:00, do të organizojë një bisedë artistike me Leze Qenën – një aktore e njohur shqiptare.
Aktorja Leze Qena do të ndajë me audiencën tregimin e saj në kuadër të “KultWoman me Leze Qenën”.
Leze Qena, aktore e lindur në Prizren, është ndër gratë më të suksesshme shqiptare. Më shumë se pesë dekada e kanë gjetur Lezen të pashterrur në teatrin dhe në skenën kulturore shqiptare.
Leze Qena në këtë ngjarje do të na rrëfejë me anë të fjalëve e fotografive udhëtimin i cili nuk ka qenë i lehtë. Me një burrë në krah, një Xhevat Qena të pashoq, Leze Qena i ka bërë ballë peripecive.
E nisim me Lezën, dhe do ta vazhdojmë edhe me pesë gra të tjera që gjetën hovin për të punuar edhe në kushtet më të vështira.
“KultWoman me…..” organizohet nga KultPlus dhe financohet nga “Culture for Change”, program i Bashkimit Evropian implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut. / KultPlus.com