9 Nëntor, 2018 - 9:02 am
Ipeshkvia e Kosovës sot e nesër do të zhvillojë disa aktivitete me të cilat shënon 550 – vjetorin e kalimit në amshim të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Sipas programit, sot, më 9 nëntor 2018, në orën 19:00 do të bëhet promovimi i 3 librave të rinj për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun:
1. Alassandro Serra, “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut“ – prezanton Prof. Domenico Morelli, nga Roma; 2. “Gjergj Kastrioti – Skênderbeu ‘Atleta Christi’ – përzgjedhje studimesh të klerikëve katolikë” – prezanton Dr. Gjon Berisha; dhe 3. AB. Lorenzo Ignacio Thjulen, “Kuvendime në mbretërinë e të vdekurve. Bashkëbisedim midis Gjegj Kastriotit dhe Karlit tê Madh” – prezanton Prof. dr. Xhavit Beqiri.
Promovimi i librave do të mbahet në sallën e Rezidencës së Ipeshkvisë, e cila gjendet pranë Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë.
Nesër, më 10 nëntor 2018, në Katedrale do të mbahet mesha dhe koreodrama për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Mesha e Shenjtë në Katedralen Shën Nënë Tereza nis në orën 11, ndërsa do të udhëhiqet nga SH. T. Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv, me meshtarë, rregulltarë e rregulltare, besimtarë dhe njerëz vullnetmirë.
Pas meshës (rreth orës 12:00) do të bëhet inaugurimi i mozaikut të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili është i vendosur në këmbanaren e Katedrales, kurse nga ora 12 e 30 minuta Koreodrama mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, nga koreografi Xhemal Berisha, nën interpretimin e Ansamblit Arbëresha (Misioni Katolik Shqipar Sirnach – CH). Në këtë shfaqje do të ndodhë një takim i Gjergjit Kastriotit me Nënë Terezën.
Koreodrama mbahet në Sallën e Qendrës “Pjetër Bogdani”, e cila gjendet në ambientet e Katedrales, thuhet në njoftimin e Zyrës së Ipeshkvisë së Kosovës. / KultPlus.com