12 Nëntor, 2018 - 9:00 am
Më 10 nëntor, në New York u mbajt ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit, personalitetit të shquar kulturor dhe politik shqiptar.
Eshtrat e tij u nxorën një ditë më parë nga varreza Ferncliff e qarkut Westchester, ku preheshin që nga viti 1949 dhe të shtunën u sollën në Qendrën Nënë Tereza të kishës shqiptare që ndodhet pranë varrezës, për ceremoninë e përcjelljes. Siç njofton Zëri i Amerikës, eshtrat do të nisen për në Shqipëri më 12 nëntor.
Shqiptarët e Amerikës i dhanë lamtumirën e fundit Mid’hat Frashërit, personalitetit shumëdimensional, të njohur me emrin e letrave Lumo Skëndo.
Ceremonia solemne u mbajt të shtunën në Qendrën Nënë Tereza të Kishës Zoja e Shkodrës në New York.
Eshtrat riatdhesohen me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, të marrë në korrik të këtij viti, pas një propozimi të bërë nga studiuesi i Mid’hat Frashërit Uran Butka dhe Instituti Lumo Skëndo, që ai drejton.
Floreta Luli-Faber është ambasadore e Shqipërisë në SHBA.
“Ka qenë një punë e gjatë, ka qenë një punë bashkëpunuese me qeverinë, me institucionet amerikane, me të gjithë komunitetin shqiptar. Kemi kontaktuar një numër të madh individësh, organizatash në New York, në Uashington, në Detroit, në Boston, në mënyrë që të gjenim të gjithë informacionin e duhur për ta kthyer Mid’hatin jo thjesht në një moment të caktuar, por ta kthenim atëherë kur festonim një nga ngjarjet më të rëndësishme, 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe menduam që kjo të ishte një nga pikat kulminante të vitit të Gjergj Kastrioti Skënderbeut”, ka thenë ajo.
Uran Butka, Drejtor i Institutit të Studimeve Historike Lumo Skëndo, tha se “kthimi i i Mid’hat Frashërit ka rëndësi historike, jo vetëm për vlerën e tij historike dhe kulturore, por edhe për faktin se është anatemuar, është përbaltur, është quajtur kriminel, bashkëpunëtor me pushtuesit”.
“ Instituti ynë jo vetëm që e boton veprën e tij të plotë, në 14 vëllime, por u bë edhe nismëtar për kthimin e eshtrave. Kam qenë shumë i emocionuar mbrëmë, kur u ndodha përpara varrit të Mid’hatit, bashkëpunëtorit të ngushtë edhe të tim eti, Safet Butkës, sepse kanë qenë bashkëpunëtorë dhe luftëtarë të një ideje të madhe”, shtoi ai.
“Sot është një ditë e shenjtë, një ditë historike, që me iniciativën e Kryeministrit Edi Rama u mor një vendim dhe nuk ka qenë e lehtë. Mendoj dhe dëshiroj që duhet të jemi kryelartë për këtë ditë, për këtë vendim patriotik që eshtrat e këtij njeriu të kombit të shkojnë në Atdheun e vet, në kombin tonë, atje në Shqipëri, në Shqipërinë e shqiptarëve”, është shprehur Ekrem Bardha, Konsull Nderi i Shqipërisë në Miçigan.
Në ceremoni u shfaq një dokumentar që shpaloste jetën e Mid’hat Frashërit në përmasat e shumta të saj.
Qysh në moshë të re, Mid’hat Frashëri u bë një ndër njerëzit e shquar që ndihmuan në krijimin e alfabetit modern të gjuhës shqipe dhe ishte ndër firmëtarët e pavarësisë në Vlorë.
Ai njihet edhe për bibliotekën dhe librarinë e tij të madhe Lumo Skëndo. Persida Asllani është Drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare, Tiranë:
“Biblioteka Kombëtare, duke trashëguar Bibliotekën e Lumo Skëndos, u bë edhe zotëruesja e një biblioteke shumë dinjitoze albanologjike, ku shkëlqen me krenari Incunabula e Papa Piut të Dytë, një vepër e rrallë, nga e cila mesa dimë vetëm shtatë kopje ekzistojnë në botë. Është një vepër në të cilën papa Piu shkruan edhe për qëndresën e Arbërit dhe Skënderbeun dhe për dinjitetin e luftës kundër pushtuesve osmanë. Në faqen e fundit të Incunabulës është e shkruar me laps vendi dhe shuma e parave që Lumo Skëndo ka shpenzuar në Torinë për të blerë këtë Incunabul. Mos gaboj, janë rreth 450 franga ari.”
Në ceremoni, përpara arkivolit të mbështjellë me flamur të qëndisur me dorë, qëndronin pjesëtarë të familjes, përfaqësues nga Shqipëria, pjesëtarë të katër komuniteteve fetare dhe njerëz që dëshironin të shprehnin respektin e tyre për Mid’hat Frashërin.
Naiada Petrela, mbesë e Mid’hat Frashërit, falenderoi në emër të familjes.
Federata panshqiptare Vatra zyrtarisht vendosi të mos merrte pjesë, edhe pse anëtarë të saj erdhën privatisht në ceremoni.
Kryetari i Vatrës, Dritan Mishto, i shpjegoi kështu arsyet në një deklaratë për Zërin e Amerikës:
“I vetmi shqetësim që kishte Federata Panshqiptare Vatra është që kthimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit, këtij njeriu me një orientim shumë të kristaltë perëndimor, i cili përveç rolit të tij në letërsinë, në gjuhësinë shqiptare, ka padyshim edhe peshën e tij politike, do të donim që të shoqërohej me një vlerësim të plotë të figurës së Mid’hat Frashërit, jo një vlerësim i cunguar. Ndaj mendojmë se Vatra do të mbajë të njëjtin qëndrim, që figura dhe vepra e Mid’hat Frashërit t’u përçohet brezave shqiptarë e plotë dhe e pacunguar. Koha provoi se Shqipëria në të cilën besonte Mid’hat Frashëri do të ishte shumë herë më e mirë sesa Shqipëria që ne kishim për dekada të tëra.”
Thomas Frashëri, kreu i sekretariatit për organizimin e Vitit të Skënderbeut, kishte ardhur në ceremoni si përfaqësues i qeverisë shqiptare. Ai tha se vlerësimi për Mid’hat Frashërin është edhe si politikan.
“Në Tiranë do të ketë banesën e fundit një nga shtetarët e mëdhenj shqiptarë. Kthehet, dhe këmbëngul këtu, jo vetëm Kryetari i Kongresit të Manastirit, por edhe shpirti i Lëvizjes nacionaliste shqiptare, Kryetari i Komitetit Shqipëria e Lirë dhe ideatori i Ballit Kombëtar. Kthehet publicisti, historiani, poeti, filantropi dhe albanologu, kthehet një shërbestar i Kombit.”
Uran Butka thotë se ky nuk është fare një problem as politik, as partiak, as privat as familjar.
“Është detyrë e shtetit shqiptar që të merret me ceremoninë e përcjelljes së eshtrave. Janë gjithë shqiptarët që e duan këtë, që ai të prehet përfundimisht jo aty në atë baltën që shkelej me këmbë, por në lartësinë e Kodrave të Liqenit në të cilën shikon Shqipërinë dhe shqiptarët, në krah të vëllezërve Frashëri dhe të Konicës.”
Mid’hat Frashëri ishte një luftëtar kundër komunizmit. Ai iku nga Shqipëria në nëntor 1944 me mbarimin e luftës dhe më vonë krijoi Komitetin Shqipëria e Lirë që do ta kishte qendrën në Shtetet e Bashkuara. Kthimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri shënon edhe një përmbushje të dëshirës së tij për t’u prehur në vendlindje.
Agron Shehaj, është deputet i Partisë Demokratike, biznesmen dhe bashkëthemelues i Institutit Lumo Skëndo:
“Ka ardhur koha që ne të shohim përpara. Duhet të krijojmë kushtet që Shqipëria të mos jetë vendi tek i cili shqiptarët kthehen vetëm për t’u prehur, por që ata të mos ikin më fare nga Shqipëria. Fatkeqësisht shqiptarët vazhdojnë të duan të ikin nga Shqipëria dhe kjo është një humbje jashtëzakonisht e madhe për vendin. Ne duhet të mësojmë nga historia në mënyrë që njerëzit e shquar e të aftë, të gjithë shqiptarët, të mos e kërkojnë më fatin e tyre jashtë por ta kërkojnë suksesin në Shqipëri. Mitat Frashëri është një nga patriotët më të shquar që ka patur Shqipëria dhe fatkeqësisht është hedhur shumë baltë mbi të. Skulptori që realizoi bustin e tij (Agim Rada) përdori një shprehje shumë domethënëse. Ai tha që bustin e Mitat Frashërit e kemi bërë deri diku edhe me baltën që është hedhur mbi të në këto vite.”
Arkivoli i Mid’hat Frashërit u përcoll me duartrokitje në pritje për t’u nisur në Shqipëri më 12 nëntor.
Ceremonitë e rivarrimit të tij në Shqipëri do të mbahen më 14 nëntor./VoA