16 Nëntor, 2018 - 11:05 pm
E kthyer tashmë në traditë, Tirana ndodhet zyrtarisht në festë. Sheshi Skënderbej është ndriçuar nga qindra drita të bredhit të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Ndryshe nga vite më parë, këtë vit dritat e festave janë hapur një muaj më parë.
Për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, festat janë një moment fantastik për qytetin dhe banorët e saj për të qenë më solidarë me njerëzit në nevojë.
“Unë jam i bindur që ashtu siç e bëmë vjet, që e gjithë stina e festave ishte një stinë solidariteti për të ndihmuar të moshuarit, për të ndihmuar ata që janë në qendrat sociale. Jam i bindur që Tirana këtë vit do jetë akoma më solidare”.
Veliaj u ndal edhe tek protesta e banorëve tek zonës së Unazës së Re.
“Unë e di që sa herë që bëhet punë në Tiranë ndodh ndonjë sherr vogël, digjet ndonjë gomë, hidhet ndonjë flakë, dua të falënderoj të gjithë policët e Policisë Bashkiake që edhe kur ka dhunë sillen me qytetari. Dua t’i garantoj qytetarët e Tiranës, qyteti fiton gjithmonë mbi dhunën, puna fiton gjithmonë mbi flakën, qytetaria dhe kultura fiton gjithmonë mbi vulgaritetin. Premtimi im për ju është që edhe në këtë sfidë dhe në çdo sfidë tjetër që do të na vijë ne do të shikojmë interesin e shumicës, interesin e të drejtës, interesin e modernizimin dhe interesin e qytetit”.
Atmosfera festive në kryeqytet do të vijojë deri më 31 Dhjetor, me koncertin e fundvitit. /KultPlus.com