Bekim Lumi do të nderohet në München të Gjermanisë

22 Nëntor, 2018 - 2:15 pm

Bekim Lumi, ish-regjisor i teatrit dhe ish-profesor në Akademinë e Arteve në Prishtinë, që vlerësohet në Kosovës si përfaqësuesi më i rëndësishëm i avangardës artistike, do të nderohet të shtunën në Mynih të Gjermanisë, në një ceremoni përkujtimore.

Takimi nën moton “Për nder të Bekim Lumit“, do të mbahet në Theater Heppel & Ettlich, më 24 Nëntor, duke filluar nga ora 15:00, në adresën Feilitzschstraße 12, München, shkruan KultPlus.

Ikja e hershme dhe e dhembshme e regjisorit Lumit, kishte tronditur edhe miqtë dhe kolegët e tij në Mynih, me të cilët ai kishte bashkëpunuar gjatë viteve 90-ta , përderisa kishte jetuar ditët prej refugjati në Gjermani, ku kishte punuar dhe inskenuar si regjisor. Për këtë ata kanë marrë nismën ta nderojnë regjisorin Lumi, duke bërë bashkë krijues gjermanë dhe shqiptarë, miq dhe ish kolegë të tij.Organizatorët shprehin bindjen se ky takim do të sjell frymëzim për avangardën artistike, për eksperimentin dhe thellësinë shprehëse që bart arti i këtij artisti, në një skaj të Evropës.

“Ishte regjisori kurd në Mynih, Haëre Zangana dhe Sabine Böhlau, të cilët kishin idenë dhe morën iniciativën për organizimin e kësaj ceremonie, për ta nderuar Bekim Lumin, në njërën anë si një artist dhe njeri, e në anën tjetër, për t’i dhënë artdashësve të Mynihut një hapësirë për t‘u takuar me këtë art të ri, të vecantë, të teatrit evropian”, thuhet në njoftim.

Po ashtu edhe Theater Heppel & Ettlich, teatër që veçohet në skenën taatrore gjermane, kishte hapur dyert e tij me dashamirësi për këtë manifestim duke njohur personalitetin si dhe profilin krijues të Lumit.

Më 14 qershor, të këtij viti, premiera e tij, “Arturo Ui” (Bertolt Brecht) u shfaq, në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, një kryevepër kjo skenike, me një analizë bashkëkohore, duke pasqyruar pamëshirë zhvillimet shoqërore në Kosovë, por edhe në Evropë.

Ky projekt që do të realizohet gjatë takimit përkujtimor për Lumin, do të ofrojë edhe një forum për diskutim, shkëmbim dhe takime midis artistëve të ndryshëm dhe artdashësve.

Audiencës do t’i ofrohen pjesë të ceremonisë mbresëlënëse të homazheve në Teatrin Kombëtar të Prishtinës si dhe motive të inskenimeve të Bekimit, që do të luhen prej aktorëve te ansamblit të tij,Afrim Kasapolli dhe Bujar Ahmeti, arie nga tenori Luan Durmishi, fjalime të përfaqësuesve të skenës teatrore internacionale si: Dima Schneider (Volkstheater Mynih), Otto Novoa (Theaterlabor „Unser Theater e.V.“), Jeton Neziraj, Gonxhe Boshtrakaj, Arian Krasniqi etj./ KultPlus.com

Të ngjajshme