22 Nëntor, 2018 - 6:31 pm
Lirik Veselaj
Në vitin 2016 pasi përfundova Gjimnazin, ndjehesha i entuziazmuar për ta filluar jetën studentore. Me kokën plot ëndrralla atëherë mendoja se të qenit student është një pozitë prej së cilës kërkohet gjenerim vlerash dhe kritikë aktive ndaj dukurive shoqërore. Kjo ndjenjë personale dhe ky status social, padyshim se të bënë fisnik. Kjo mbase për shkak se edukimi im ishte mbrujtur midis mendësisë së propagandës së Lëvizjes Kombëtare, se “shpirti” studentor duhet të qëndrojë çdo herë në ballë të ndërrimeve të mëdha politike dhe shoqërore. Dhe, natyrisht, kjo ndjesi, më bënte lakmitar për statusin që do merrja, për përgjegjësitë që do të më takonin etj.
Tetori i 2016-ës ishte fillimi i studimeve të mia në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Brenda “sagës” së saj për ta rrumbullakuar shtetësinë Kosova kishte para vetës, veç tjerash, edhe një detyrë shumë të vështirë: reformimin e tërësishëm të sistemit të Drejtësisë. Universiteti i Prishtinës nuk i kishte korresponduar pothuajse asnjëherë nevojave të sistemit shtetëror, përfshirë edhe gjyqësorin, andaj, me sa dukej, zgjedhja ime për të qenë student i Drejtësisë nuk paraqiste ndonjë relevancë ndaj proceseve nëpër të cilat do të kalonte Kosova.
Drejtësia në Kosovë, që nga viti 1999, herë me gjykata protektorësh, e herë me gjykata vendorësh, asnjëherë nuk e kishte fituar besimin e qytetarëve. Përkundrazi, kishte qenë sistemi i Drejtësisë ai të cilit i referoheshin dështimet më të mëdha në vendin tonë. Jo vetëm që nuk mjaftonin “presionet” nga jashtë që pushteti gjyqësor të ndahej nga ai politik, por kësaj farse të ligë duket se ia mbanin ison edhe vet “misionarët” evropianë.
Tani që kam hyrë në vitin e dytë të studimeve në Drejtësi shpesh më shkon mendja të besojë se Kosova do të ketë mjaftueshëm njerëz të mirë të cilët do ta kenë dijen, fuqinë dhe kurajën për të vënë drejtësi. Por, sakaq seç zhgënjehem keq kur më bie ndërmend se brezi im shkollor është “derivat” i PISA-s – një sistem ndërkombëtar i vlerësimit të dijes që e nxori shkollën e Kosovës në nivel me atë të Libisë – vendit të humbur në “Shkretëtirën e tartarëve”, që përpëlitet mes luftërash e diktaturash.
Kjo vërtetë më bënë të zhgënjyer! Ky fakt sikur i “delegjitimon” të gjitha përpjekjet tona të dëshpëruara për të nxënë dije nga bota e civilizimit Perëndimor, për të arritur standarde të Bashkimit Evropian etj. Zhgënjimi është po aq i madh kur të tjerët na përkujtojnë me një farë “krenarie të shpifur”, se ne jemi brezi që kemi lindur në flakët e luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Athua s’i mjaftuan kësaj shoqërie dy dekada që brezi i fëmijëve të luftës të mos i kushtëzojë shpresat e veta mbi hipotekat e së kaluarës? Pra, brezi ynë nuk do të ketë asnjë arsye për t’u mburrur me faktin se dikur qemë studentë … “fryma e gjallë e kombit”, “shpirti dhe pararoja e shoqërisë”…
Përtej dëmit ne po vazhdojmë të studiojmë, duke qenë të damkosur me etiketën se asnjë dije s’e kemi nxënë. Për të mirë ose për të keq, megjithatë, kohërat do të ndryshojnë … dhe breza të tjerë do të vijnë … e mbase gjërat për të cilat po shkruaj tani do të duken absurde. Por këtu qëndron ironia, sepse pa fajin tonë ne rrezikojmë të jemi brez i humbur, brez iluzionesh, me shpresa të thyera … brez që rron këtu e sytë i ka në ikje.
Njeriu i Kosovës sot e ka të vështirë të jep ide dhe premisa se si të dilet nga kjo gjendje e pashpresë, por ajo që më së pari më vije ndërmend tani është aktivizimi i një organi si në Athinën e lashtë – Këshilli i të Urtëve. Besoj se akademikëve kosovarë u ka mbetur aq dinjitet dhe nderë sa për ta aktivizuar një autoritet të tillë moral dhe shkencor mbi Drejtësinë e korruptuar, i cili, përveç rolit këshillues do të duhej ta kishte edhe të drejtën e ndërhyrjes në sistem, atëherë dhe aty ky Drejtësia shkelet dhe përdhoset.
E, midis krejt këtij dëshpërimi, vërtetë a ka shpresë për ne?
Mendoj se kurrë nuk është vonë për një fillim të ri. Për një prerje nga e kaluara. Ne duhet t’i flakim tej të gjitha hipotekat dhe paragjykimet e së kaluarës. Nëse deri më tani kemi provuar sa e sa herë ta ndryshojmë sistemin Arsimor, dhe rrjedhimisht, edhe sistemin e Drejtësisë, dhe këtë s’e kemi arritur dot, mendoj se duhet provuar sërish e sërish.
Ylli i fatit tonë të mirë ekziston edhe për ne në këtë univers.