Mediat serbe raportojnë se Ceca ka hyrë në Kosovë

8 Dhjetor, 2018 - 11:37 am

Mediat serbe raportojnë se këngëtarja nga Serbia, Svetlana Ražnatoviç, e njohur si Ceca, ka kaluar pa asnjë problem pikën kufitare të Jarinjës.

Koncertin e saj, ajo pritet ta mbajë afër konvikteve të studentëve në veri të Mitrovicës, ani pse kjo u kundërshtua në Kosovë.

Koncertin, siç është raportuar, pritet ta mbajë në mbështetje të protestave të serbëve kundër taksës 100 për qind ndaj mallrave të tyre, që ia ka vënë Qeveria e Kosovës.

Është raportuar po ashtu se Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka kërkuar që asaj t’i ndalohet hyrja pasi s’ka kërkuar për leje paraprakisht. KTV-ja ka tentuar të marrë një qëndrim të ministrit Gashi por ai nuk e ka hapur telefonin.

Edhe portali Koha.net ka provuar të marrë një qëndrim nga Policia në Mitrovicë, por s’ka mundur.

Kundërshtime të ashpra pati në Kosovë nga fytyra publike të ndryshme.

Së fundmi, dje, deputetja e PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Ganimete Musliu, tha se ardhja e saj është për të promovuar urrejtje e për të goditur plagët e hapura të shqiptarëve.

Madje, ka apeluar te institucionet që të mos lejohet ardhja e saj në Kosovë.

“Në Kosovë nuk po vjen këngëtarja Ceca por bashkëshortja e Kriminelit më të tmerrshëm të historisë tonë të re! Po vjen bashkëshortja e Arkanit që ishte udhëheqës paramilitar dhe vrasës mizor i mijëra shqiptarëve në luftën e Kosovës. Ceca nuk po vjen të prezantoj art në Kosovë por për të promovuar urrejtje e për të goditur në plagët e hapura të shqiptarëve që i shkaktoj bashkëshorti i saj. Kjo është e pa pranueshme dhe e padrejtë andaj unë nuk mund të heshtë. Apeloj te institucionet tona, mos ja hapni plagët popullit, mos lejoni që bashkëshortja e Kriminelit të hyjë në Kosovë!”, ka shkruar Musliu, përcjell Koha.net

Të ngjajshme