10 Dhjetor, 2018 - 4:23 pm
Nënë e pesë fëmijëve, kryefamiljare dhe biznesmene, Fatmire Maliqi, me vendbanim në Ferizaj, ka arritur të punësojë 26 gra dhe është bërë e mirënjohur në sektorin e ëmbëlsirave tradicionale. Specifika e firmës së saj qëndron te fakti që ajo ndan përfitimet e saj me të gjitha punëtoret si dhe një pjesë për institucionet në nevojë.
Në rafte mund të gjeni lloj-lloj bakllavash, të gjitha të punuara me dorë. Siç tregon Fatmirja, ajo është vazhdimisht në kërkim të kombinimeve delikate të shijeve, teksturave, ngjyrave dhe formave për të befasuar shijen e konsumatorit, shkruan albinfo.ch
Fatmire Maliqi ka arritur të kombinojë njohuritë e saj profesionale për recetat dhe teknikat e prodhimit me mjeshtërinë e gatimit me dorë të trashëguar nga teknikat stërgjyshore. Falë mënyrës së përpunimit të brumit, të hollimit të petëve, mjeshtrisë së pjekjes dhe zierjes së shërbetit, Fatmirja me 26 punëtoret e saj arrin të furnizojë një pjesë të madhe të Kosovës. Në një afat dyvjeçar, ajo synon të punësojë 1000 gra, të cilat janë kryesisht raste sociale.