“Një nga shkaqet më njohura të palumturisë, është zilia”

16 Dhjetor, 2018 - 1:00 pm

“Pos brengave të mundshme, një nga shkaqet më njohura të palumturisë, është zilia. Zilia, do të thosha, është njëra ndër pasionet më të përgjithshme dhe më të thella të njeriut.

Ajo mund të hetohet lehtë te fëmijët para se të mbushin një vit dhe çdo pedagog kësaj duhet t’i kushtojë kujdesin më të hollë. Në shfaqjen më të vogël të afrisë ndaj një fëmije në dëm të tjetrit, hetohet menjëherë dhe nuk durohet. Kushdo që ka punë me fëmijë, duhet domosdo që kur ndan, të jetë i drejtë deri në fund, i përkryer, i ashpër dhe i pandryshueshëm.
Mirëpo fëmijët vetëm pak më tepër e zbulojnë lakminë dhe xhelozinë e tyre se sa të rriturit. Ky emocion është njësoj mbizotërues midis fëmijëve dhe të rriturve.

Midis damave mesatare të çmuara, zilia luan një rol jashtëzakonisht të madh. Nëse uleni në metro dhe ndodh që pranë vagonit të kalojë ndonjë grua e bukur e veshur mirë, shikojini sytë e grave të tjera. Do ta vëreni se secila prej tyre, me përjashtim të mundshëm të atyre që janë të veshura më mirë, e vështrojnë atë grua me shikim smirëzi dhe do të përpiqen të gjejnë diçka që është nënçmuese për të.

Dëshira për skandale është shprehje e kësaj smire të përgjithshme: edhe çfarëdo tregimi kundër gruas tjetër besohet menjëherë pa fakt bindës. Moralizimi i shumëfishtë i shërben po këtij qëllimi: u’a kanë zili atyre që bëjnë mëkat, kurse në të njejtën kohë e konsiderojnë se është virtyt të dënohen ato për mëkatet e tyre. Ky lloj i veçantë i virtytit është sigurisht shpërblim i vetvetes.

Saktësisht po kjo gjë, ndërkaq, mund të vërehet plotësisht edhe ndër burra, me përjashtim se gratë i konsiderojnë rivale të gjitha gratë e tjera, kurse burrat si rregull e kanë këtë ndjenjë vetëm ndaj burrave të profesionit të njëjtë.”

Bertrand-Russell mbi zilinë – pjesë e shkëputur nga libri “Pushtimi i lumturisë”. /KultPlus.com

Të ngjajshme