ATQK: Bashkërisht kemi rezultate shumë më të mira në mbrojtje, zhvillim dhe avancim të teatrove

28 Dhjetor, 2018 - 5:30 pm

Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës (ATQK) për periudhën gjashtëmujore ka arritur që të vë në pah punën dhe vështirësitë e funksionimit të teatrove, shkruan KultPlus.

Në komunikatën e dërguar për media nga ATQK, është shkruar se gjatë këtyre gjashtë muajve në krye me Erson Zymberi (Teatri i qytetit të Gjilanit), ky  Asociacion  ka arritur disa suksese.

“Si rezultat i këtij angazhimi është arritur që të iniciohet plotësim-ndryshimin i Ligjit aktual për teatrot në Republikën e Kosovës, të bëhet kalimi i draft-koncept dokumentit në qeveri për ndryshimin e ligjit të teatrove, themelimi i grupit punues për ndryshimin e këtij ligji i cili grup ende vazhdon punën si dhe marrëveshje mbi shkëmbimin e shfaqjeve ndërmjet teatrove të qyteteve”, është shkruar në kominikatë.

ATQK-ja është zotuar se do të vazhdojë angazhimin edhe në  vitin e ardhshëm në mënyrë që të punojnë në funksionalizimin e plotë  të Teatrove si në aspektin legjislativ, financiar e artistik.

“Bashkëpunimi i teatrove të qyteteve tregoj se bashkërisht kemi rezultate shumë më të mira me qëllimin e mbrojtjes, zhvillimit dhe avancimit e teatrove”, ka theksuar ATQK-ja.

Në këtë gjashtëmujor të dytë (Janar-Qershor) kryesimin e ATQK-së e merr Fatmir Hyseni (Teatri i Qytetit “Adriana”-Ferizaj)./ KultPlus.com

Të ngjajshme