8 Janar, 2019 - 7:05 pm
Poezi nga Luljeta Lleshanaku.
Në familjen time lutjet bëheshin fshehtas
me zë të ulët,
me një hundë të skuqur nën jorgan,
gati mërmëritnin,
me një psherëtimë në fillim dhe fund të hollë,
e te paster si nje garze.
Përreth shtëpisë,
kishte vetëm një palë shkallë për t‘u ngjitur ato të drunjtat,
të mbështetura gjithë vitin pas murit,
për riparimin e tjegullave në gusht para shirave.
Në vend të engjejve,
hipnin e zbritnin burra që vuanin nga shiatiku.
Luteshin duke u shikuar sy më sy me të,
si në një marrëveshje kryezotësh
duke kërkuar nje shtyrje afati „Zot, me jep forcë..!”,
e asgjë më shumë, se ishin pasardhësit e Esaut,
të bekuar, me të vetmen gjë që mbeti prej Jakobit,
-bekimin e shpatës
Në shtëpinë time lutja ishte një dobësi,
që nuk përflitej kurrë, si të bërit dashuri
dhe njësoj si të bërit dashuri pasohej nga nata e frikshme e trupit./ KultPlus.com