12 Shtator, 2017 - 10:59 am
Tashmë e shndërruar në një ngjarje tradicionale të përvitshme në skenën e filantropisë në Kosovë, ngjarja “Të vallëzojmë për nënat dhe fëmijët – Let’s Dance” rikthehet më 21 shtator 2017, në Duplex Premium në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:00, përcjell KultPlus.
Ngjarja organizohet nga Fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe Crimson Capital falë mbështetjes së sponsorëve dhe publikut që beson në misionin e kësaj ngjarjeje bamirësie.
Disa nga aktivitetet që u mundësuan këtë vit me fondet e mbledhura nga Let’s Dance në shtatorin e vitit të kaluar janë: klinika e neonatologjisë pranë QKUK është furnizuar me 200 shishe të medikamentit Surfaktant, për herë të parë në Kosovë u soll medikamenti minastrin, janë blerë 5 monitorë kardiopulmonarë për fëmijë dhe janë hapur qendra informuese për shëndetin e gruas dhe klasat për nëna në Kaçanik dhe Prizren.
Gjithashtu, falë këtyre fondeve, Fondacioni ka arritur të avokojë që institucionet shëndetësore të zhvillojnë udhërrëfyesin nacional për transportin standard të foshnjeve nga spitalet rajonale për në Prishtinë. Një tjetër arritje është zgjerimi i ndërmarrjes sociale Teshavesha.
“Është emocionuese kur shohim që tashmë, Let’s Dance ka depërtuar në vetëdijen e publikut si një nga ngjarjet më të rëndësishme të bamirësisë në vend. Kur filluam me përgatitjet për këtë nismë tre vjet më parë, ekipi organizativ nuk e pati menduar se kjo ngjarje do të shndërrohej në një traditë të rëndësishme që prek jetët e qindra nënave dhe fëmijëve”, thotë Mrika Aliu, drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit.
Ajo shpreh falënderime për përkrahësit e ngjarjes Let’s Dance, si sponsorët, ashtu dhe pjesëmarrësit dhe vullnetarët. “Për dy vite kemi siguruar shumën €56,065. Është shumë e konsiderueshme, shprehje e vullnetit të mirë dhe bujarisë së miqve tanë të shumtë”, vazhdon Aliu.
“Tashmë, ngjarja Let’s Dance nuk është thjesht një festë për të mbledhur fonde, por është shndërruar në një lëvizje të solidaritetit, bujarisë dhe bamirësisë për fëmijët dhe nënat në nevojë. Kjo ngjarje jep shpresë dhe promovon jetën”, përfundon ajo.
Mbrëmja Let’s Dance këtë vit mbahet me 21 shtator, në Duplex Premium, duke filluar nga ora 20:00. Çmimi i hyrjes është €30 për person dhe përfshin pije, ushqim dhe muzikë. Paratë e mbledhura nga biletat shkojnë të gjitha për financim të programeve. Biletat mund të blihen në këto pika: Crimson Capital, Teshavesha, Bon Vivant, Matisse, Green & Protein, Soma Book Station, Creme de la Creme, Hallakate, Bonzai dhe Babel./ KultPlus.com