15 Janar, 2019 - 10:29 pm
Gili Hoxhaj
Mëngjesin e 15 janarit 1999, banorët e Reçakut e përshkruajnë me mjegull e shumë të ftohtë. Egzon Bilalli nuk e mban mend, por bisedat e shumta që ka zhvilluar me gjyshin e të afërmit e tjerë kanë bërë që ai të di saktësisht se ku ka qenë i shtrirë secili trup i vrarë. Ishte veç nëntëmuajsh kur forcat serbe ia kishin masakruar xhaxhain.
I rritur me rrëfimet e masakrës, thotë se nuk është e lehtë për të dhe banorët e tjerë që sa herë që kalojnë pragun e derës t’i kthejnë sytë tek vendi ku kanë humbur më të dashurit. Qysh kur ishin kthyer nga Maqedonia në Reçak, gjyshi i tij Hasan Bilalli kishte filluar të ngjyroste me të kuqe vendet e mbuluara me gjakun e të vrarëve në masakrën e Reçakut, të cilët me dhunë ishin dërguar për në rrugicën që të çon tek “Kodra e Bebushit”.
Ngjitja për atje, as sot përmes shkallëve nuk është e lehtë ndërsa sa më shumë që largohesh nga fshati për në kodër, duket sikur dhimbja e këtij shtegu është kufizuar në muret e shtëpive që lë prapa.
Egzon Bilalli së bashku me kushërinjtë kujdesen që këto ditë të pastrojnë sado pak shkallët që të bëjnë më të lehtë kalimin e vizitorëve atje. Duket qartë që kjo rrugë nuk ka qenë krejt e pashkelur këto ditë, pasi që lehtë hetohen gjurmët e këpucëve të atyre që kanë shkuar për të parë “Kodrën e Bebushit”, aty ku qëndruan të shtrirë trupat e vrarë të civilëve shqiptarë.
Fshatit akoma i mungon një tabelë që tregon se ku gjendet kjo kodër dhe shpesh Egzoni dhe banorët e tjetër marrin rolin e ciceronit e ngjiten bashkë me vizitorët për atje, gjatë rrugës ndajnë me ta edhe kujtimet e rrëfimet që i kanë përcjellë për dy dekada me rresht.
Gjyshi i Egzonit, Hasan Bilalli ka vdekur para katër vitesh, por u ka lënë amanet ta vazhdojnë këtë traditë të ngjyrosjes me të kuqe aty ku janë masakruar viktimat, si mënyrë e ruajtjes së plagëve të këtij fshati.
“Gjyshi këtë e ka bërë që të na kujtojë neve se çfarë ka ndodhur dhe t’u tregojë të gjithë atyre që vijnë se çfarë ka ndodhur këtu. Ndoshta s’kemi mundur t’i ruajmë shenjat krejtësisht, por 80-90% e tyre janë aty”, tregon Bilalli.
Banorët e fshatit tregojnë që në këtë muaj e kanë të vështirë edhe t’i përkthejnë në fjalë ndjenjat e tyre. Disa prej tyre thonë se ky muaj ua rëndon edhe shumë kujtimet e 15 janarit. Arife Bilalli nuk mund ta nis fjalinë e dytë pasi e përfundon të parën, duket sikur forca e fjalës e braktis lehtë.
“15 janarin e kujtojmë si para 20 vitesh, gjaku i tyre ka vlerë shumë, bjen shi dhe kurrë nuk e lagë, as bora nuk e ngrin”, me këtë fjali e përmbyll fjalën e saj gjyshja e Egzonit, Arife Bilalli e cila që nga 15 janari i 1999-ës vuan vrasjen e djalit të saj, Lutfi Bilalli (41 vjeçar).
Egzon Bilalli thotë se në çdo shikim të dhomës e heton dëshpërimin që ngjallë muaji i pari i vitit tek banorët. Traumat nuk janë zbehur edhe pse me dhimbjen e kujtimet e këtij muaj ata përballen tash e 20 vite. Banorët janë munduar ta tejkalojnë vetë këtu, duke gjetur strehë ngushëllimi tek njëri-tjetri. Kjo ka qenë arsyeja kryesore që Egzoni ka zgjedhur që të studiojë psikologjinë.
“Banorët këtu tregojnë se kur vjen kjo ditë, ata s’mund të flenë. Kur fillon të flasësh me ta fillojnë të tregojnë gjithçka që ndjejnë. Mundohem të bëjë biseda të lira me ta, mundohem tu them që ta shprehin sa më shumë veten”, tregon Egzoni.
Egzon Bilalli thotë se shumë nga familjarët e tij mëngjeset e janarit i gjejnë pa asnjë orë gjumë.
“I ndalin punët komplet. Një javë para 15 janarit dhe një javë pas 15 janarit vetëm i kujtojnë familjarët që nuk i kanë më dhe flasin vetëm për atë kohë”, tregon Bilalli.
Masakra e Reçakut cilësohet si pikë kthese për historinë e Kosovës, pasi që pamjet nga atje zgjuan ndërgjegjen ndërkombëtare për krimet që po ndodhnin në Kosovë. William Walker, shef i misionit të OSBE-së, mëngjesin e 16 janarit kishte marrë rrugën për në Reçak, ku kishte parë trupat e masakruar të banorëve të këtij fshati. Walker, pasi kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës, e kishte përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerëzimit.
Deklaratës së tij i pasoi edhe reagimi i presidenti të ShBA-së Bill Clinton i cili masakrën e Reçakut, e cilësoi si një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim, që synonte të frikësonte popullin e Kosovës.
Në emër të Bashkimit Evropian kishte reaguar edhe Ministri i Jashtëm i Gjermanisë gjatë krizës në Kosovë, Joschka Fischer.
“Ata që janë përgjegjës për këtë akt, duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë kurrë masakrimin brutal dhe vrasjen e popullsisë civile”, ishte shprehur Fischer.
Pak më larg memorialit e varrezave të 45 të vrarëve nga Masakra e Reçakut gjendet edhe shtatorja e diplomatit amerikan WilliamWalker, ndërsa gjaketa që mbante veshur më 16 janar të vitit 1999 gjendet në Muzeun Kombëtar të Kosovës si pjesë e ekspozitës së përhershme që është hapur për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës./ KultPlus.com