17 Janar, 2019 - 7:04 pm
Ministri i Arsimit Shyqyri Bytyqi ka folur për grevën e mësimdhënësve, duke thënë se kërkesat e tyre janë ekstreme dhe të njëjtat do t’i kushtojnë miliona buxhetit të shtetit.
Sipas Ministrit Bytyqi, brengosja më e madhe është që nxënësit po humbasin orë mësimore, duke deklaruar se po kërkojnë një zgjidhje.
“Brengosja më e madhe është se nxënësit tanë po humbin mësim dhe është një gjë jo e mirë dhe e kemi të vëshitrë të kompenzojmë. Jemi duke kërkuar një zgjidhje që do të jetë e përshtatshme. Deri tani nuk është bërë një zgjidhje që do ta mundësonte rikthimin e mësimit”, deklaroi ai.
Në parim nuk është dashur që të fillojë fare greva, është shprehur ministri.
Bytyqi i ka cilësuar si ekstreme kërkesat e SBASHK’ut.
“Këto kërkesa janë goxha ekstreme. Mund të jetë një kosto mbi 5 milionë euro, që është vështirë e realizueshme. Dje i kemi dorëzuar një propozim Qeverisë dhe po presim që të kemi një reflektim që të ketë një rritje të koeficientit, dhe të hapet një dialog me SBASHK’un dhe të gjithë dikasterët e arsimit”, deklaroi ministri, duke thënë se të hënën maksimumi nxënësit duhet të kthehen në shkollë.
“Të hënën maksimumi është dita kur nxënësit duhet të kthehen në bankat e tyre, sepse çdo vonim tjetër është i pariparueshëm”, ka shtuar ministri.