5 Shkurt, 2019 - 10:20 pm
Nesër, me datë 6 Shkurt, ditë e mërkurë, kolektivi “Haveit” do të jenë të pranishme për ju në takimin e radhës “Kafe me artisten”, në kuadër të ekspozitës Perceptime\Burrneshat.
Artistet ju ftojnë të pini kafenë bashkë me to dhe të dëgjoni rrëfimin e tyre për rrugëtimin në botën e artit, sukseset dhe sfidat gjatë karierës së tyre artistike.
Takimi mbahet në orën 10:30 -11:30 në Galerinë Kombëtare të Kosovës
HAVEIT (Alketë Sylaj, Hana Qena, Vesa Qena, Arbërore Sylaj) është një grup që përbëhet prej katër grave të cilat kanë tendencë të shkojnë përtej kënaqësive ditore, rregullave të moralit si dhe refuzojnë të pajtohen me çështjet që iu shërbehen të gatshme. E themeluar në vitin 2011, ato nuk bëjnë asgjë tjetër përveç se tregojnë historinë e tyre dhe tuajën!
Ato kanë mbajtur performansa të shumta rrugore si “Ekzaminimi”, “Je Suis Glamour”, “Pa ujë e me fontanë”, “Dita e Shën Valentinit”, “Përdorni gojën tuaj”, “Shoeining”, “Pushimi i gjatë”, “Rruajtja e Patriarkalitetit “, “Edhe sa thirrje të humbura “, e të tjera.
Të njohura për video instalimet siç janë: “Kur babai qau, nëna mi lau sytë”, “Tager”, “Baby Blues”, “Pushimi i gjatë”, dhe shumë tjera.
HAVEIT gjithashtu kanë mbajtur ekspozita personale në “Stacion” – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë, në Galerinë “Motrat”- Prishtinë, si dhe Galerinë “Bazement” në Tiranë.
Puna e fundit e HAVEIT ishte “Edhe sa thirrje të humbura?” Instalacion në billboard me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
HAVEIT janë fituese të çmimit për Demokraci të KCSF për vitin 2018.