7 Shkurt, 2019 - 3:00 pm
Poezi nga Merita Berdica.
Qyteti
strukë gjoksin bulë dimrit.
Kapoten borë
ka ditë që e ka zdeshë.
Ndoshta iu mërzit.
Ndoshta m’ia shpërvjelë
mangët këmishës shi mbi gjeth.
Ndoshta, apostafat,
edhe për çadren e kuqe.
Sa e sa herë i ngjan puthjes,
por askush se paditë,
sepse e dëshirojnë tanë,
anise hala asht turp.
Po ku pyet, qyteti…
Të rinjtë e sodit janë altruista.
Shiu shamaton vedin ndër krane.
Mezi shtrinë shtatin
në shumë çatia harrakate,
ku dy mica gjithmonë,
dashurohen me shikimin e parë.
Rreziket kranet shnjallë,
bubrrojnë kujtime petullash.
Bile fëmijet ju përtypin qukat,
qoftë për at’herë,
koha e nan’babes me degërmi.
Çdo shtunë,
ajo pi kafen tek lokali,
ku mbi krye ka një apartament.
Mesiguri i zoti asht i shtrenjtë, përderisa s’ka zhgulë
hala atllasin e bardhë, qera.
Numri i celularit
i duket si tatuazh hebre.
Për këtë zhvilloi projektin;
“Dashuria në kohen e koleres!”.
Nxënësit e pagëzuen, Krenari.
Kalimtarët s’ia çikun shpirtin qytetit
Kanë frigë blinin se fort xhelozohet
dhe rrëfen murlanit
andrren e netëve të gjata.
Vetëm pak gurët lëmut pjaces shpradhojnë;
“Prit se femrat, ato të bukurat krejt,
e ores 9:00 s’kanë dal hala!”
Të squtat nadje ju çvirgjerohet
zgjimi nga era e kafes,
tamam si aromë Grue.
T’i shpon hundet,
e cila lén mbi tavolinë pa takatuke parfumin, si bakshish.
Heee burrave,
s’ju vjen përshtat kjo gjá,
mbyten në një filxhan ujë,
derisa “RR”-ja e madhe
përzhitë buzën.
Këmbanat e minaret
hajnë darkë me zotin,
ndërsa Galanja,
ritual personazhi i këtij qyteti,
arnon me copa bordurash lëmoshen.
Edhe qenjtë
ia kanë mësue ecjen përmendësh.
I vetmi që din me e pá
në dritë të synit
asht dramaturgu diell.
Ia aktron dhimbjet një e nga një.
Ia jep nxehtin falas
midis skenës.
Ndësa tjerët,
aaa tjerët,
zgërdhihen tek durt,
me gëzof e dhëmbë florini.
Qytetit kot’ zemrekun orë
shumë heret, pa lind hana mirë.
I ka kalue mosha, thonë.
Mbi 50-tat s’ia fal vedit
me kërcye deri naten vonë;
“Tango, Profumo di Donna!”