13 Shkurt, 2019 - 3:12 pm
Alberina Haxhijaj
Sot u nda nga jeta intelektuali, gjuhëtari, albanologu, profesori dhe përfaqësuesi i shquar i brezit të intelektualëve të Kosovës, Idriz Ajeti, shkruan KultPlus.
Akademiku Idriz Ajeti i dha shumë Kosovës dhe vendit të tij, me veprën shkencore, me veprimtarin e tij, me përfaqësimin e studimeve shqiptare në hapësira kombëtare dhe ndërkombëtare dhe me angazhimet e tij të shumta duke përfshirë këtu edhe ato në institucionet e pavarësimit të vendit, si kryetari i Kuvendit të Kosovës në vitet e vështira, pas zgjedhjeve paralele të vitit 1998.
Për të nderuar punën e tij të akumuluar ndër vite, dhjetëra qytetarë ishin të pranishëm për të bërë homazhe, në mesin e tyre edhe figura të shquara në Kosovë. Ajeti u konsiderua një mik dhe bashkëpunëtor i dashur nga kryetari i Akademisë së Shkencave, Nexhat Daci, i cili edhe hapi mbledhjen komemorative.
“Jemi krenar që aq gjatë e kemi pasur udhëheqës, kolegë dhe mik. Asnjëherë në asnjë periudhë, akademik Ajeti nuk e ka lëshuar rrugën e drejtësisë, rrugën kombëtare dhe intelektuale dhe e kemi pasur gjithmonë në përkrahje”, theksoi ai.
Idriz Ajeti themeloi katedrën e albanologjisë në Prishtinë, ku ligjëroi dhe u bë kreu i saj. Ishte dekan i Fakultetit të Filozofisë në Prishtinë, rektor i Universitetit të Prishtinës dhe themelues e drejtor i Seminarit për Gjuhë, Letërsi e Kulturë Shqiptare. Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i kësaj Akademie. Ai po ashtu drejtoi Konsultën Gjuhësore në Prishtinë dhe ishte njëri nga protagonistët e Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë.
Rëndësinë që pati Idriz Ajeti në studimet e gjuhës shqipe e theksoi edhe akademik Rexhep Ismajli i cili e konsideroi atë një nga studiuesit më të mëdhenj të historisë së gjuhës shqipe. Ismajli tutje tha se veprimtaria e akademikut Idriz Ajetit shtrihet në dy vija.
“Dy janë vijat themelore për portretit e madh të Idriz Ajetit. Vija e veprimtarit të shquar për emancipimin e përgjithshëm të popullit të tij dhe vija e dijetarit të shquar të botës shqiptare, studiuesit të njërës nga shtyllat themeltare. Këto vija vijnë e pleksen në figurën madhore të dijës, kulturës dhe emancipimit të përgjithshëm shqiptar të shekullit XX dhe të fillimit të shekullit XXI. Shuarja e akademikut Idriz Ajeti është humbje e madhe për familjen, miqtë, kolegët, komunitetin e albanologëve dhe për gjithë botën shqiptare. Jemi krenarë që patëm fatin të jetonim dhe të bashkëpunonim me të për një kohë kaq të gjatë”, tha ai duke theksuar se brezat e ri do kenë shumë për të mësuar nga veprimtaria e akademikut Ajeti.
Të pranishmit në këtë mbledhje komemorative mbajtën një minutë heshtje për të nderuar akademikun Idriz Ajetin si dhe bënë homazhe para arkivolit të të ndjerit. Varrimi do të bëhet në varrezat e Prishtinës, në orën 15:30./ KultPlus.com