14 Shkurt, 2019 - 2:17 pm
Organizatat Qendra për Barazi dhe Liri – CEL dhe Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD, dënojnë ashpër gjuhën e përdorur nga ana e Zyrtarit të Ministrisë së Drejtësisë Xhelajdin Krasniqi. Krasniqi ka cilësuar personat LGBTI si degjenerim të skajshëm, thirrje për vrasje dhe përdhunim të personave LGBTI.
“Uuuuu çfarë degjenerimi i skajshëm. E shpat e bi bre. Mir ishkon pra se me ju hjek koken me ja u rras shpaten ne b****”
Kjo deklaratë publike e Xheladin Krasniqit është nxitje dhe përhapje e urrejtjes ndaj personave LGBTI dhe si e tillë është vepër penale e dënueshme me Kodin Penal të Kosovës. Pëveç kësaj, deklarata homofobike e Xheladin Krasniqit është jashtëzakonisht fyese ndaj personave LGBTI. Prandaj CEL dhe CSGD do t’i shfrytëzojë të gjithë hapat ligjor për ta mbajtur përgjegjës Xheladin Kransiqin për deklaratën e dhënë.
“CEL dhe CSGD dënojnë çfarëdo gjuhe të urrejtjes që i drejtohet personave LGBTI apo cilit do komunitet tjetër që jeton në Kosovë dhe gëzon mbrojtje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera në fuqi.
Të gjithë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve tjera publike që shpërndajnë gjuhë të urrejtjes duhet të japin llogari dhe të mbahen përgjegjës për deklaratat e tilla. Punonjësit e institucioneve publike marrin pagë nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe duhet të kryejnë detyrën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës të cilat sanksionojnë gjuhën e urrejtjes dhe diskriminim dhe promovojnë gjithëpërfshirjen dhe tolerancë. Prandaj përgjegjësia dhe llogaridhënia e këtyre zyrtarëve duhet të jetë në nivel më të lartë. Ne kërkojmë që Ministria e Drejtësisë të ndërmarrë masa disiplinore të menjëhershme ndaj Xheladin Krasniqit për deklaratën e dhënë.”, thuhet në komunikatë. /KultPlus.com