17 Shkurt, 2019 - 3:00 pm
Sot është përvjetori i vdekjes së Frederik Rreshpes (19 korrik 1941 – 17 shkurt 2006).
Ja u ktheva përsëri në Shkodrën e mbretërve
ngritur gurë-gurë
mbi supet lakuriq të një gruaje
nga vëllezërit tradhtarë.
Mbi degët e shirave këndojnë zogjtë
Nën pemën e madhe të mesditës
Gjethe të verdha bien mbi shpirtin tim.
Pastaj,
unë i hedh drejt qiellit për të bërë një vjeshtë
Ah, kur ishim të rinj dhe të bukur
Nuk na vajti mendja kurrë të bënim një vjeshtë
Por ti tani nuk je më…
Taniti je në fillim të stinëve
Ndaj nuk më intereson loja e ajrit dhe e diellit
Që ngrihet mbi re si mbi një sofër paganësh.
Shfaqen në muzg trëndafilat e thurur me diell
Ah tani edhe trëndafilat na kujtojnë kamionët me djemtë e vrarë
sa të bukur dhe të rinj ishin o Zot!
Mirupafshim o djem në një planet pa diktaturë
Në ajër shfaqen patriarkët e poezisë shqipe
Bogdani, Fishta, Mjeda dhe Migjeni
Etërit e mi sillen në ajër se varret ua kanë thyer.
Tani edhe mermeri i zërit tim është i thyer
Tani që erdhi mbrëmja
statuja e natës troket në dritaren e vjetër xhamthyer. / KultPlus.com