19 Shkurt, 2019 - 9:15 pm
(Pjesë nga libri ‘Tri bijat e Evës’ nga ELIF SHAFAK)
Nisi të grindej me Zotin.
Peria grindej për çdo gjë me të, i bënte pyetje për të cilat e dinte se nuk kishte përgjigje të lehta, por prapë i bënte, me zë të ulët, që të mos e dëgjonte askush. I thoshte se ai ishte treguar i papërgjegjshëm që kishte lejuar t`u ndodhnin gjëra aq të tmerrshme atyre që nuk i meritonin. A mund të shihte dhe dëgjonte Zoti përmes mureve dhe hekurave të qelive të burgut? Nëse nuk mundej, atëherë nuk ishte i plotfuqishëm. Nëse mundej dhe prapë nuk bënte asgjë për t’i ndihmuar ata që kishin nevojë, atëherë nuk ishte i mëshirshëm. Sido që të ishte, nuk ishte ashtu siç pretendonte se ishte. Ishte mashtrues.
Zemërimin që Peria nuk ia zbrazte dot së ëmës dhe udhëheqësit të saj shpirtëror Yzymbaz Efendiut, inatin që nuk ia zbrazte dot të atit dhe zakonit të tij të pijes, dhimbjen që ndjente për vëllain e madh dhe lodhjen nga vëllai tjetër, i përziente në një brumë ngjitës dhe ia derdhte me mendje Zotit. Ai brumë piqet në furrën e mendjes së saj, ngrihej ngadalë, fryhej në mes, digjej anëve. Kur moshatarët e saj dukeshin aq të thjeshtë e të lehtë sa balonat në erë, ndërkohë që luanin rrugëve, shkonin në shkollë dhe i merrnin ditët si t’u vinin, Nazperi Nallbantogluja, një vajzë jashtëzakonisht e menduar dhe e mbyllur, kërkonte me ngulm Zotin.
Zoti, një fjalë e thjeshtë me kuptim të errët, Zoti, aq afër sa dinte gjithcka që bëje apo kishe ndërmend ta bëje, e prapë i paarritshëm. Por Peria ishte e vendosur ta gjente një mënyrë. Sepse, përmes një logjike të shtrembëruar të saj, i qe mbushur mendja se, po të bënte bashkë Krijuesin e mamasë dhe Krijuesin e babait, do të arrinte të kthente harmoninë mes dy prindërve. Me një farë marrëveshje lidhur me atë se çfarë ishte dhe çfarë nuk ishte Zoti, do të kishte më pak tension në shtëpinë e familjes Nallbantoglu, por edhe në të gjithë botën.
Zoti ishte një labirint pa hartë, një rreth pa qendër, pjesë të një mozaiku që dukej se nuk përputheshin kurrë bashkë. Sikur ta zgjidhte këtë mister, do t’i jepte kuptim të pakuptimshmes, arsye çmendurisë, rregull rrëmujës dhe, ndoshta, mund të mësonte si të ishte e lumtur.