Fjalët e para të Princ Vidit para se bëhej mbreti i shqiptarëve

21 Shkurt, 2019 - 5:00 pm

Nga Aurenc Bebja

“Le Radical” ka botuar, të premten e 13 marsit 1914, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me deklaratën e Princ Vidit drejtuar shqiptarëve, para ngjitjes së tij në fron

Në Shqipëri,

Një deklaratë nga mbreti

Durrës, 12 mars. – Nesër në mëngjes do të publikohet shpallja e mëposhtme e mbretit për popullin :

“Shqiptarë,

Sot, Shqipëria e lirë dhe e pavarur hyn në një histori të re. Fati i vendit i është besuar mbretit, urtësisë së qeverisë dhe virtyteve të patriotëve. Rruga përpara është e gjatë dhe plot pengesa, por asnjë pengesë nuk është e pakalueshme për një popull që ka tradita të famshme në historinë e lashtë dhe i cili, si ju, ka (ka pasur) një vullnet të madh për të punuar dhe përparuar. Detyra jonë dhe ajo e pasardhësve tanë do të jetë gjithmonë kërkimi për mirëqenien e kombit, me të gjitha forcat tona. Frymëzuar nga këto ndjenja, ne kemi pranuar nga duart tuaja kurorën e Shqipërisë.

Shqiptarë,

Ndërsa ngjitemi në fron, ne presim që të gjithë ju të nxitoni rreth mbretit tuaj dhe të punoni me ne për përmbushjen e aspiratave kombëtare.”/ KultPlus.com

Të ngjajshme