Detaje rrëqethëse të “dosjes” së Sabiha Kasimatit dhe skema e dënimit të 22 martirëve

16 Shtator, 2017 - 3:00 pm

Në 105-vjetorin e lindjes së biologes që u fut në listën e “sabotatorëve”, ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, ka zbardhur detaje të dosjes së Sabiha Kasimatit si dhe skenën se si u ekzekutuan 22 persona të tjerë për ngjarjen e njohur të bombës në ambasadën sovjetike.
Po kështu, Dervishi ka publikuar edhe skemën e ndërtuar nga hetuesit dhe sigurimi për realizimin e “atentatit” ndaj ambasadës.

Dosja hetimore-gjyqësore në ngarkim të grupit të supozuar të hedhjes së dinamitit në legatën sovjetike është bërë publike qysh në vitin 1992. Madje janë botuar disa libra me autorë të ndryshëm e janë bërë disa dokumentarë. Ajo nuk është dosje agjenturiale operative, (sepse të gjithë personat që u listuan apo u ekzekutuan e kanë pasur dosjen në ngarkim), por një dosje e sajuar në mënyrë shumë primitive pas ekzekutimit të martirëve. Dosjet formulare të personave që u implikuan në këtë histori, me një përjashtim (edhe ky rast nuk ka informacion konkret, përveçse datës së ekzekutimit) janë asgjësuar në vitet ’50. Kësisoj historitë që lidhen me ekzekutimin e 22 personave mesnatën e 25-26 shkurtit 1951, domosdoshmërisht kërkohen në burime të tjera.

Dinamitin (gabimisht shumë thuhet “bombë”) e hodhi organizata Bashkimi Kombëtar e kryesuar nga Sejfulla Shima. U zgjodh ajo kohë atentati për t’i dhënë një goditje regjimit komunist në kohën kur në Tiranë organizoheshin aktivitete për nder të Ushtrisë së Kuqe.

Ora 19.30 të datës 19 shkurt 1951, Hysen Llulla dhe Qazim Laçi u nisën me biçikleta drejt legatës sovjetike në rrugën e Durrësit në Tiranë. Hyseni hodhi dinamitin me fitil 2 metra të gjatë, ndërsa Qazimi nuk mundi të hedhë gjë. Shpërthimin e kanë dëgjuar të dy kur ishin në lumin Lana. Zbulimi i këtij grupi u bë rastësisht pas dy javësh, vetëm sepse një anëtar i Bashkimit Kombëtar e tregoi ngjarjen në formë mburrjeje (po kjo është çështje tjetër) te një person tjetër.

Menjëherë pasi Byroja Politike vendosi mënyrën e veprimit si dhe dënimet me vdekje që do jepeshin, organet e punëve të brendshme në Tiranë nisën një valë arrestimesh me të cilat izoluan gjithë elementin antikomunist të menduar. Të arrestuarit për këtë ngjarje shkuan rreth 170 persona (lista unike kryesore), përfshi ata para ngjarjes që dyshoheshin për një veprim të datës 8 shkurt 1951, por nuk rezulton kurrkund të jetë i vërtetë. Historia e kësaj ngjarjeje nuk mund të njihet kurrsesi e veçantë, por e integruar me 170 personat e tjerë. Në këto arrestime mungonin pikërisht anëtarët e organizatës që hodhi dinamitin, gjë që tregoi mungesën e inteligjencies së organeve të Sigurimit dhe syleshtësinë tipike karakteristike të tyre. Organet e punëve të brendshme përpiluan tri lista nga kontingjentet “armike”. Duke menduar se patjetër armiku duhej të ishte këtu, u përzgjodhën për t’u pushkatuar 22 persona, ndërsa 2 të tjerë u ekzekutuan në një proces të mëvonshëm (jashtë tri listave, por pjesë e grupit prej 170 personash). Nga Instituti i Shkencave ishin përzgjedhur tre persona, njëra nga të cilët ishte shkencëtarja Sabiha Kasimati (dy të tjerët, me histori shumë interesante kaluan në procese gjyqësore të veçanta). Sabihaja u mor në pyetje nga shefi i seksionit të Degës së 2-të, Koli Shuke (me profesion rrobaqepës). Listat u përpiluan në këtë mënyrë:

A-Lista e parë, “agjentët e të huajve”
Dega e 1-rë (Zbulimi Politik) drejtuar nga Zoi Themeli (me profesion furrxhi) dhe Dega e 5-të (legatat e huaja) drejtuar nga Delo Balili përpiluan një lista të përbashkët me gjithsej 19 persona. Nga kjo listë u ekzekutuan: Tefik Shehu, Hekuran Troka, Lluka Rashkoviç, Haki Kodra, Thoma Katundi, Mehmet Ali Shkupi, Gjon Temali, Fadil Dizdari.

B-Lista e dytë, ballistët, legalistët, pronarët
Dega e 2-të Dega që drejtohej nga Niko Ceta (me profesion furrxhi) me zëvendës Rasim Dedjen (me profesion rrobaqepës) përpiloi një listë me gjithsej 10 persona. Nga kjo listë u ekzekutuan: Ali Qorraliu, Zyhdi Herri, Gafur Jegeni, Jonuz Kaceli, Sabiha Kasimati .

C-Lista e tretë, nëpunësit “sabotatorë”
Dega e 3-të (Mbrojtja e Ekonomisë Socialiste) që drejtohej nga Edip Çuçi (me profesion specialist djathi) përpiloi një listë me gjithsej 12 persona, kryesisht nëpunës në ministri apo ndërmarrje. Nga kjo listë u ekzekutuan: Pjerin Guraziu, Qemal Kasoruho, Anton Delhysa, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia. / KultPlus.com

Të ngjajshme