28 Shkurt, 2019 - 11:00 am
Disa gjësende personale të Oskar Schindler, industrialistit gjerman, që ka shpëtuar më shumë se 1000 hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, pritet të dalin në ankand.
Kompania RR, me bazë në Boston, ka thënë më 27 shkurt se gjësendet janë pronë e gruas së Schindlerit, Emilie, e cila ka vdekur më 2001.
Burri i saj ka vdekur më 1974.
Ankandi pritet të hapet më 6 mars në Boston.
Në mesin e disa gjërave është edhe ora e Schindlerit, një busull, të cilën e ka përdorur ai dhe gruaja e tij më 1945 teksa kanë qenë duke ikur nga rusët si dhe dy stilografë.
Aty është thënë se do të përfshihet edhe një medalje, që i është dhënë Schindlerit nga Qeveria gjermane më 1938, për rolin e tij si spiun gjatë pushtimit të një pjese të ish-Çekosllovakisë.
Veprimet e Schindlerit gjatë periudhës së Holokaustit kanë qenë bazë për filmin e realizuar nga Steven Spielberg më 1993, të titulluar, Lista e Schindlerit.
Ai ka qenë anëtar i Partisë Naziste, mirëpo ka shpëtuar hebrenjtë duke i punësuar ata në një mori fabrikash.
Schindler ka lindur në qytetin Svitavi, që tani gjendet në Republikën Çeke. /rel /KultPlus.com