“Betohem, nuk kam dashur kurrë më parë në këtë mënyrë”

28 Shkurt, 2019 - 12:00 pm


 

Para se Vladimir Nabokov të bëhej një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të letërsisë ruse, shkrimet e tij lexoheshin vetëm nga një grua. Ajo ishte Vera. Ai ishte 24 vjeç kur e takoi për herë të parë, ndërsa ajo 21 vjeçe.

Vera do të ishte dashuria më e madhe e shkrimtarit, ajo që ende kritikët apo biografët e letërsisë së tij i referohen sa herë duan të zbërthejnë karaktere apo ngjarje në librat që Nabokov shkroi. Ai u tërhoq nga sensi i saj i humorit dhe dashuria për letërsinë.

Vera kishte shkruar poemat e para që kur ishte 19 vjeçe.

Kohë më parë janë botuar letrat e dashurisë që ata i shkruan njëri tjetrit, të cilat nxjerrin në pah dimensionin njerëzor të një prej personazheve më të dashur të letërsisë. Sot po botojmë disa pjesë prej tyre:

Në korrik të vitit 1923 vetëm disa muaj pasi ishin njohur ai i shkruan:

“Nuk kam pse ta fsheh. Ndjej që jam kaq i përfshirë nga dëshira për ty. Që në minutën e parë të takimit tonë kuptova se isha përpara një përvoje të panjohur për mua. Disa gjëra janë të vështira për t’u shprehur, dhe të heqësh shkëlqimin e mrekullueshëm të ndjesive që të japin e t’i shndërrosh në fjalë. Ju jeni kaq e dashur…

Po, unë kam nevojë për ju, për përrallën tonë. Sepse ju jeni i vetmi person me të cilin mund të flas dhe për hijen e një reje, për këngët që pëlqej apo dhe sesi një luledielli sot më buzëqeshi me gjithë petalet e saj.

Shihemi së shpejti, gëzimi im i çuditshëm, natë të qetë.”

Në nëntor duket se dashuria mes tyre është konsoliduar.

“Si mund ta shpjegoj lumturinë time, lumturinë e artë që më mbështjell sa herë jam me ty, të gjitha kujtimet, poezitë, shpërthimet e brendshme? Ose si mund të të shpjegojë, se, nuk mund të shkruaj asnjë fjalë pa e dëgjuar se si do të shqiptoni ju atë… Si mund të eci në një rrugë, apo të shoh një muzg pa e menduar se ku do të jesh, apo në do ta shohësh me sytë e mi.

Dhe e ndjej se gjithë këto ndjesi nuk mund t’i them me fjalë, as në telefon. Sepse kjo është një ndjesi e mrekullueshme të cilën mund të ta tregoj vetëm duke të shkruar…

Betohet në gjithçka të dashur për mua, se nuk kam dashur kurrë në këtë mënyrë më parë.

Me një butësi të tillë deri në pikën e fundit të lotëve, e një shkëlqim të cilin s’mund ta përshkruaj me fjalë…”

Në dhjetor ai i shkruan:

“Të dua kaq shumë. Të dua në një mënyrë të gabuar (mos mu zemëro lumturia ime)

Të dua në mënyrën e duhur. I dua dhëmbët e tua.

Të dua, dielli im, jeta ime. I dua sytë e ty, të mbyllur… bishtin e vogël të mendimeve të tua, shpirtin tënd…”/gazetashqip / KultPlus.com

Të ngjajshme