5 Mars, 2019 - 2:45 pm
Në fillim ai pa sytë e saj. Lëkura e errët që i vezullonte nga dielli e bënte më të ndrojtur. Ishte vetëm 13 vjeç. Djaloshi që kishte nisur të shkruante mbrëmjeve vonë në dhomën e vogël të konviktit mijëra kilometra larg shtëpisë, ndjeu në vështrimin e kësaj vajze diçka që i kujtonte historitë e librave që kishte në dhomë. Heshtja e bënte më interesante. Ai i mësoi në atë kohë vetëm emrin.
Quhej Mercedes Barcha dhe vetëm disa muaj më vonë, kur do të kthehej sërish gjatë pushimeve të verës për të takuar prindërit, ai do t’i propozonte. Ndodheshin në një festë.
Teksa vallëzonin, ai i shprehu gjithçka që kishte menduar kaq e kaq herë me mendje. Ishte viti 1946 dhe studimet për Drejtësi nuk i jepnin Gabriel Garcia Marquezit, atë emocion që i jepte e shkruara. Kishte një pushtet që ai kishte nisur ta ndiente, teksa historitë merrnin formë në letrën e bardhë. Ndaj një ditë vendosi t’i linte studimet për t’iu përkushtuar gazetarisë.
Marquezi nisi të punonte në gazetën “El Espectador”, ku menjëherë u dallua pasioni i tij për të hulumtuar histori. Në këtë periudhë, Mercedes nisi studimet e larta. Sucre, qyteti i tyre i lindjes, do të ishte dhe vendi i romancës së Marquez me të.
Sytë e saj të mëdhenj kafe do të ishin për të gjithnjë frymëzim. Ajo vinte nga një familje egjiptiane, por kjo nuk i pengoi ta donin njëri-tjetrin. Në vitin 1952, ata u fejuan. Dhe vetëm pak kohë pas fejesës, çifti do të ndodhet përpara një zgjedhjeje të vështirë. Drejtori i gazetës ku punonte i kërkon Marquezit të udhëtojë në Evropë, për të punuar si korrespondent.
“Ishte një ëndërr e imja të jetoja në Evropë dhe të bëja një punë të tillë. Kështu më duhej të zgjidhja mes një gjëje që gjithnjë e kisha ëndërruar dhe martesës. Bisedova me Mercedesin dhe ajo më tha se do të ishte më mirë të udhëtoja në Evropë sesa gjithë jetën t’ia kujtoja këtë ngjarje si një peng”, kujtonte Marquezi më vonë.
Jeta jashtë Kolumbisë do ta ndante për një kohë të gjatë çiftin. Udhëtimi i tij në Evropë, e veçanërisht në Paris, do të zgjaste më shumë sesa e kishte menduar. Regjimi politik në vendin e tij do të ndërhynte që Marquezi të mos paguhej më nga gazeta, për shkak të shkrimeve konfliktuale.
“Ikja nga puna ka qenë një moment i vështirë për mua, pasi kisha prishur dhe paratë e biletës së kthimit, e nuk më mbetej gjë tjetër të rrija e të punoja. Jeta ime në Evropë zgjati dhe tre vjet të tjera. Mercedes e pranoi dhe këtë vendim timin, edhe pse çdo kush i thoshte se duhet të ishte e çmendur, pasi unë duhet të kisha gjetur ndonjë vajzë tjetër në Evropë. Në Paris isha krejtësisht i lirë. Por e ndieja që një ditë kjo jetë do të përfundonte dhe unë do të kthehesha sërish tek ajo. Ishte si të ndieje një rrugë të fatit, që pavarësisht zgjedhjeve që kishe bërë, një ditë do të mbërrije atje. Nga Parisi i shkruaja asaj çdo javë. Dhe pas martesës, kur diçka nuk shkonte në marrëdhënien tonë dhe ajo nuk ndihej e lumtur, më thoshte: Në letrat nga Parisi me shkruaje se do të isha gjithmonë e lumtur. Një ditë i thashë: ‘Dua t’i blej të gjitha letrat që të kam shkruar’. Dhe ajo m’i shiti letrat. I dogja të gjitha, dhe jam i qetë, pasi askush nuk do të mund të hamendësojë ose t’i përdorë ato pas vdekjes sime”, kujtonte Marquez.
Çifti u martua më 21 mars 1958 në kishën Barranquilla. Bashkë ata patën dy djem, Rodrigo i lindur më 1959-n dhe Gonzalo tre vjet më vonë. Në vitin 1961, familja e re shpërngulet në SHBA, më pas vendoset për të jetuar në Meksikë. Marquezi gjithmonë donte të jetonte në Amerikën e Jugut, i frymëzuar nga romanet e Faulknerit.
Mercedes Barcha ishte 13 vjeçe kur e pa për herë të parë, në Sucre, dhe që atëherë nuk reshti së vrapuari pas tij. Ishte pas tij dhe kur ndodheshin mijëra kilometra larg njëri-tjetrit, me një forcë të cilën Marquez asnjëherë nuk arriti ta shpjegonte, por e quajti thjesht forca e dashurisë. Ajo forcë ku ai besoi përgjithmonë, si e vetmja arsye e jetës njerëzore.
Puthja e tyre në aeroportin e Stokholmit më 1982, pas marrjes së çmimit Nobel për Letërsi, ishte përgjigjja që Marquez u dha me veprim të gjitha pyetjeve mbi dilemat njerëzore. Ai e kishte kuptuar se gjithë udhëtimi i tij në letërsi, ishte për të kuptuar një grua. Një grua e veshur me peliçe të bardhë dhe kapuç mbi flokët e kaftë teksa shtrëngohej pas tij. /Shqip