18 Shtator, 2017 - 3:42 pm
Para disa ditësh në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u dha premiera e shfaqjes ‘55 shades of gay’, me tekst të Jeton Neziraj e regji të Blerta Neziraj. Kjo shfaqje e cila u mirëprit nga audienca e Prishtinës, tashmë pritet të udhëtoj nëpër teatrot e tjera të rajonit.
Destinacioni i parë i shfaqjes jashtë Kosovës do të jetë ai në Teatrin Kombëtar në Tiranë, shkruan KultPlus. 18 tetori është data e rezervuar për të mirëpritur një ekip të mrekullueshëm të aktorëve që e jetësuan këtë shfaqje e që janë: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi dhe Alketa Sylaj.
‘55 shades of gay’, është projekt i Qendrës Multimedia nga Prishtina e cila konsiderohet si njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore. Shfaqja sjellë në skenë një një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt, një performancë argëtuese politike dhe provokative, kësaj here mbi çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI.
Luan Durmishi (vokal), skenografia dhe kostumet nga Sebastian Ellrich, muzika nga Irena Popovic dhe koreografia është realizuar nga Florian Bilbao./ KultPlus.com