21 Dhjetor, 2018 - 1:30 pm
Gili Hoxhaj
Kaltërsinë e qiellit, piktori Llalloshi e kishte vendosur kudo. Qielli i tij ishte më i errët. Ai ishte në dhomën e nënës, në fshatin e babait, në dhomën e së bijës, në ëndrrën e tij të parë, pranë shkrimtarit Ali Podrimja.
Autori mundohet të sjellë gjithçka nën qiellin e vendlindjes. Ai shihej jashtë në natyrë, e diku shihej përmes xhamave të dritares. Përveç në pikturë, në njërën prej këndeve edhe perdet kishin këtë ngjyrë. Në hyrje të ekspozitës veçse e kishte theksuar këtë.
“E kaltra si dëshirë, si mallëngjim, si ndjenjë dhe sistem nervor” e përshkruan kuratori Medved, ndërsa thekson se piktura dhe pikturimi i autorit Llalloshi thjesht janë tejkalime në art.
“Qielli është i kaltër”, ishin fjalët e para që vizitorët lexuan në mur në të shkelur pjesën e ekspozitës e cila mbrëmë u hap në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Pikturat e tij si përplasje mes botës së jashtme dhe të brendshme, për këdo mund të jenë reflektim për mjedisin ku jeton. Kaltërsia shpesh thyhej nga kontrasti i bardhësisë të cilën autori e kishte ndarë nga piktura. Tek nëna e cila shihej qartë se qëndronte në pritje, ai kishte vendosur edhe një bez ku ishin qepur “duart e saj të bardha”. Pranë pamjes së ëndrrës së tij të parë, ai mënjanë kishte vendosur krahët, tërësisht në të bardha. Kështu e kishte lënë Llalloshi vendlindjen, nëpër qiell, ndërsa ishte nisur me ëndrra.
“Unë kur kam ikur, kam ikur nëpër qiell. Andrra ime e parë është se kam pasur dëshirë të kem krah të fluturoj mirëpo siç tha edhe Andrej kjo është e kaltër që reflekton edhe dashurinë jo vetëm për vendlindjen por gjithë rrethin ku unë jetoj”, tregoi Llalloshi.
Ai ndër të tjera i kujtoi edhe ftesat që Podrimja ia bënte në Ljubljanë, ku Llalloshi studionte, ndërsa fakti që ka vendosur letrat për të lënë një fjalë për Podrimën, lidhet me një nga takimet e tyre.
“Për mua ishte një privilegj, një përkrahje e madhe që më jepte elan për të sjellë edhe më shumë, sidomos atëherë ishin kohëra të vështira dhe kishte shumë pak kosovarë atje. Një ditë erdhi tek unë në atelie dhe unë e kam zakon i ngjis shënimet që të mos i harroj. Ai më tha po më pëlqen shumë kjo ide e jotja dhe do ta vjedh, unë ia ktheva këtë kompliment me këtë interaktivitet, që secili prej jush të hyjë në rrethin e Ali Podrimës” shpjegoi Llaloshi.
Ato mbrëmë erdhën si një reflektim për më të afërmit, a për poetin e shpirtit që iku diku tjetër. Për poetin që mjafton të lexosh një fjalë, e t’ia kujtosh gjithë vargun. Në pikturë, Ali Podrimja qëndronte symbyllur në tërë kaltërsinë. Këtë kaltërsi e thyente veç ulësja, ku trupi i tij qëndronte i shtrirë. Rrugën drejt tij e kishte marrë ujku. Krejt kjo në mendje të kthente poezinë e tij “Kush do ta vrasë ujkun”, poezi që Podrimja e kishte shkruar në vitin 1988. Pak më larg pikturës, në anën tjetër qëndronte një karrige ku mund të uleshe e të shkruaje një fjalë pranë atyre që qëndronin në murin e bardhë.
Çdo kënd i të dy kateve të galerisë, pothuajse përmbante një vepër të autorit. Largësia mes tyre dhe hapësira për çdo punim bënte që publiku të pushonte në reflektim në secilën vepër.
Andrej Medved tha se pikturat e Llalloshit mund të riemërohen si dhuratë, si dashuri për pikturën… për vendlindjen. Ai thotë se në pikturat e Llalloshit çdo gjë është mjeshtërisht në rregull edhe pse e zbutur dhe e mjegulluar. Ai thotë se figurat e tij na hyjnë në vetëdije, në nënvetëdije, në jehonën e kujtesës.
“Bota origjinale, qasja autentike gjithashtu vërehet në procesin e pikturës. Llalloshi nuk i pikturon pikturat me brushë dhe ngjyrë (çdo pikturë dhe të kaltrën) po sikur e zhytë ngjyrën në pëlhurë”, u shpreh mbrëmë kuratori i ekspozitës.
Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, në ceremoninë hapëse të ekspozitës, theksoi se Llalloshi ka vënë hapat e parë në artin bashkëkohor ndërsa është personi kyç që u ka ndihmuar edhe shumë artistëve të tjerë të zhvillojnë artin e tyre.
Piktorja Zake Prelvukaj tha për KultPlus se piktori Llalloshi mbrëmë solli tema sociale, lidhur me atë se çfarë njeriu ndjen ndaj fëmiut të tij, ndaj jetës që e ka lënë në vendlindje. Prelvukaj shtoi se ekspozita e tij me tema sociale e impresive, tregon se Llalloshi është një artist që punon vazhdimisht, shumë serioz, artist i mençur dhe që di çfarë t’i dhurojë galerisë.
“Gjithmonë fëmijëria na duket më e bukur, edhe pse ndoshta nuk ka qenë aq e bukur sa na duket neve kur largohemi prej vendlindjes. Ganiu është një artist që ka ditur të absorboj prej rrethit dhe e ka plasuar në artin e tij. Prej largimit të tij në Slloveni, ky ka marr diçka që ne s’mund ta marrim pasi që ai ndryshe e sheh botën dhe ndjeshmërinë ndaj gjanave”, u shpreh për KultPlus piktorja Zake Prelvukaj.
Gani Llalloshi u lind më 8 maj 1965 në Prishtinë. Pas diplomimit në Akademinë e Arteve të Bukura në Prishtinë në vitin 1989, në drejtimin e pikturës në klasën e profesor Nysret Salihamixhiqit, po të njëjtin vit u regjistrua në Akademinë e Arteve të Bukura në Lubjanë, Slloveni.
Studimet pasuniversitare në pikturë i përfundoi në vitin 1991 te profesor Andrei Jemec, ndërsa në vitin 1993 e përfundoi grafikën te profesor Lojze Logar. Si bursist nga Qeveria Gjermane me bursën DAAD në vitet 1997/98 studioi në HDK (Shkolla e Lartë e Artit) në Berlin.
Që nga viti 1989 është anëtar i Shoqatës së Artistëve të Kosovës si dhe nga viti 1990 është anëtar i ZDSLU (Shoqata e Artistëve Slloven). Ai jeton dhe punon në Piran, Slloveni.
Ekspozita “Qielli është i kaltër”, do të qëndrojë e hapur deri më 18 janar në Galerinë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com