1 Mars, 2023 - 2:41 pm
“Fenomenologjia e imazhit arketip bashkëkohor”, e kuruar nga historiani dhe kritiku i artit Oltsen Gripshi është ekspozita e artit bashkëkohor Shqipëri- Austri që do të hapet më 3 mars, në ora 19:00 në Muzeun Historik në Tiranë, shkruan KultPlus.
Ekspozita bën bashkë 10 artistët më në zë të artit bashkëkohor midis Shqipërisë dhe Austrisë, ku gjuha pamor me të cilën ata paraqiten tek publiku shqiptar është sa e larmishme për nga teknikat e përdorura aq dhe gjithëpërfshirëse për nga tematikat e trajtuara.
Kjo ekspozitë kërkon të përçoj tek publiku mesazhe të shumëfishta, ku asnjëherë më parë marrëdhënia midis njeriut dhe natyrës nuk është bërë një çështje qendrore (absolute), si në debatet shkencore, ashtu edhe në ato estetiko-artistike në krijmtarinë e artistëve. Gjithnjë e më shpesh, në përputhje me ndjenjën e përkatësisë së epokës aktuale, të së tashmes, bashkëkohores, artistët e mbështesin kërkimin e tyre artistik dhe filozofik-konceptual në zbulimin e marrëdhënies midis njeriut dhe natyrës. Një ndërthurje nocionesh e botëkuptimesh, njeriut dhe natyrës, që ka magjepsur gjithmonë antropologët, biologët, natyralistët dhe studiuesit e artit të interesuar për të kuptuar këtë lidhje të çuditshme, por thelbësore, e cila shumë shpesh kthehet edhe në konflikt mes tyre!
Vetëkuptohet, aty ku hapet një reflektim mbi qenien njerëzore hyn në lojë gjithmonë arti, si një përmasë nëpërmjet së cilës qenia njerëzore shkëputet nga realiteti, duke lundruar brigjeve të imagjinatës. Kështu individi artist, apo artisti individ përpiqet të trajtojë çështjet kyçe të kohës së tij, me mjetet dhe gjuhën që zotëron. Megjithatë, do të ishte gabim të mendohej se arti vetëm tani ka filluar të merret me botën natyrore, me thelbin e qenësishëm të vetë ekzistencës së tij, duke e vendosur atë si një objekt artistik. Përkundrazi, mund të thuhet se që nga zanafilla e tij ka pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të ngushtë mes artit dhe natyrës.
Ekspozita do të qëndroj e hapur në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar nga data 3 deri më 12 mars 2023./ KultPlus.com