15 Korrik, 2019 - 3:45 pm
Së fundi u mbajt edicioni i dytë i festivalit ndërkombëtar të artit “Nën braza të kohës“, në Strellc të Deçanit. Edhe ky edicion u përqendrua rreth objektit ”Kulla tradicionale”, që shërbeu si subjekt dhe objekt i festivalit, përcjell KultPlus.
Artistë, dramaturgë, arkitektë, aktorë, muzikantë dhe personalitete të tjera nga bota akademike u mbledhën në këtë manifestim ndërkombëtar. Ky event përmblodhi një seri me aktivitete paralele e të ndërlidhura të teatrit, arteve pamore, artit konceptual e muzikës. Risia në këtë eveniment ishte pjesëmarrja aktive e studentëve dhe profesorëve të arkitekturës.
Sajë tyre, kulla tradicionale shqiptare u zhbirua nga ana profesionale me skica, vizatime, video, dizajn, të cilat u inkuadruan në performancën artistike.
Edhe në këtë edicion shtrati etno-kulturor, përzierja e pjesës folklorike me mizanskenën konceptuale morën rëndësi. Të gjitha shfaqjet u kryen brenda ose para kullës, për t`i dhënë një dimension sa më fizik e popullor qasjes teatrore. I veçantë kësaj here ishte edhe pelegrinazhi “Happening” në rrugën Strellc-Isniq.
Artistë ndërkombëtarë kryen aktivitete në raport me gjeografinë dhe banorët vendas duke arritur një interaksion tepër impresionues. Ky shtegtim në peizazhin etno-grafik lokal lidhej ngushtë me studimin antropologjik të autores së mirënjohur Berit Backer. Kjo studiuese ka hulumtuar thellë doket dhe sociologjinë e familjes shqiptare, sidomos aktivitetin njerëzor brenda hapësirës së kullës në Isniq përgjatë viteve 70-të. Ky studim u përdor si inspirim fillestar i agjendës së aktivitetit, që përmbante një program interdisiplinar. Edhe në këtë edicion krijimi i një interaksioni, raporti funksional midis performancave ishte prioritar. Artistët vendas dhe ndërkombëtarë arritën një bashkëpunim sa gjuhësor dhe fizik, duke shkrirë dhe tejkaluar kufinjt kulturorë.
Materia tekstuale e përdorur në këtë edicion: Medea, arti i ekzilit The Living Theatre – People`s Project Peisazhe me argonautët, Medeamaterial, Loja e Medeas – Kthimi në brazë – Nita – Odisea, Kënga e 17-të – Uliksi, kap. 18-të – Poezi, ninulla e këngë tradicionale shqiptare – Ekspozita/Aksione/Instalacione nga: Studentë dhe profesorët të Studio 3 të Universitetit të Insbruckit, Akademisë së arteve pamore – Vjenë (Akademie der Bildenden Künste – Wien) dhe të UBT-së – Prishtinë. / KultPlus.com