18 Nëntor, 2022 - 2:40 pm
Abaz Hado, piktor dhe grafist i njohur promovoi, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë studimin monografik “Portreti 1880-2000”.
Në këtë studim, botim i Akademisë së Shkencave, autori ka përfshirë pothuajse të gjithë autorët shqiptarë që kanë spikatur me portrete të rralla, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë e artit shqiptar.
Abaz Hado, aktualisht drejtor i Galerisë së Tiranës, tha se për të hartuar këtë libër i është dashur një punë e gjatë në vite.
Në këtë studim janë trajtuar dhe problematikat në të cilat ka ardhur portreti ne 120 vjet histori. “Portreti 1880-2000” vjen i ndarë në disa kapituj si: Realizmi socialist; Portreti në Shqipëri; Portrete me fizionomi etnike; Portreti dhe personaliteti; Artistët që nisën pikturën e portretit; Modeli dhe piktori; Artistët shqiptarë jashtë kufijve shtetërorë; Portreti në vizatim, grafikë, pllaka, karikaturë, mozaik; Studime të veçanta për portretin, etj.
Në këtë studim janë përfshirë pothuajse të gjithë autorët shqiptarë, që kanë trajtuar portretin të Shqipërisë, të Kosovës, të Malit të Zi dhe të diasporës. Duke qenë se është një studim dhe krahasues, ka dhe autorë të huaj, ku Hado merr përsipër të bëjë krahasime dhe të bëjë disa deduksione të artistëve, që kanë krijuar vepra të ndryshme.
Hado vlerësoi si më prodhimtare të portretit periudhën pas vitit 1944 deri në vitet ’90, që paraqitet shumë e larmishme, me portretin e gruas, portretin e karakterit etnik, portretin e karakterit të heroit, të dëshmorëve të luftës, dhe personazheve që shprehin anën poetike të jetës. Por ajo që është kryesore për t’u theksuar në këtë studim është që e merr në mënyrë tërësore gjithë problematikën dhe nuk e sheh në aspektin historik, sesi kjo pikturë, kjo gjini e artit ka nisur zhvillimin dhe është punuar e mbyllur një sistem më shumë se 100 -vjeçar, duke nxjerrë karaktere, tipa, fizionomi të cilat përbëjnë dhe një pasuri të madhe të karakterit individual, të karakterit shoqëror, të karakterit social të pikturës së portretit.
Prof. Zyhdi Dervishi tha se ngrehina e këtij libri studimor bazohet në skanimin profesional të rreth dyzet portreteve dhe autoportreteve bardhë e zi, dhe të rreth 320 portreteve dhe autoportreteve me ngjyra të realizuar prej piktorëve më të shquar./ atsh / KultPlus.com