16 Maj, 2018 - 9:45 pm
Punët e ndryshme artistike të disa artistëve kosovarë do të jenë pjesë e një ekspozite në Trieste.
Organizuar nga Imago Mundi – një projekt i artit bashkëkohor me koleksionistin Luciano Benetton dhe familjen e tij nga Benetton Group, do të hapë ekspozitën ku mes shteteve pjesëmarrëse është edhe Kosova me disa artistë të saj.
Punë nga Përparim Rama, Jeton Muja, Alije Vokshi, Zymer Mulliqi, Genc Kadriu, Jakup Ferri, Mehmet Behluli, Nita Qahili, Arbërore Sylaj, Blerim Rracaj, Rron Qena, Alban Nuhiu, Dardan Zhegrova, Gani Llalloshi, Jeta Kalaveshi, Rexhep Ferri e artistë tjerë do të jenë pjesë e kësaj ekspozite.
Nga data 29 maj deri me 2 shtator koleksioni “Small is Beautiful. Contemporary Artists from Kosovo” do të shfaqet në Trieste në ekspozitën “Join the Dots”.
Projektit i janë bashkuar rreth 25 mijë artistë nga 150 shtete të botës, mes tyre edhe Shqipëria, Kosova, Ukraina, Libani, Serbia, Rumania, Qipro, Algjeria e shtete tjera.
140 punë nga artistët kosovarë do të jenë pjesë e ekspozitës, e cila bashkon artin në qytetin e bukur italian.
Secili shtet përfaqësohet me artistë që janë përzgjedhur nga kuratorë vendorë.
Nga nëntori i këtij viti e deri në vitin 2020 një përzgjedhje prej këtij koleksioni do të udhëtojë për në Kinë, për të festuar 70 vjetorin e Republikës, shkruan KultPlus.
Ekspozita do të hapet zyrtarisht në Salone degli Incanti (ex Pescheria). / KultPlus.com