14 Korrik, 2022 - 2:25 pm
Gustav Klimt do të mbamendet në historinë e artit ndër më të kurajshmit bohem të pikturës. Biri i një argjendari të pafat do të qëndiste me ar dhe zjarr penelatash të epshme përvojat dhe përjetimet më të zellshme të gjakut dhe kurmit. Klimt ndryshoi simbolikën tradicionale të deriatëhershme, ose më saktë e pasuroi atë duke e përjetësuar seksin dhe epshin me elementë dhe shprehës më cytës, gjithnjë brendandjesor dhe shpërthyes.
E lartësoi si pakkush tjetër deri asokohe femrën, duke e shndërruar atë në një simbolikë qëndore të universales. Ai e ngërthen në themel të gjithçkasë dhe e pjesëmerr në çdo ngjizje amshimi. Depërton brenda saj jo vetëm seksualisht. Rrëmon në fundin e kësaj qënie dhe gjen kuptimin e shumëçkasë dhe nuk druhet t’ia kumtojë botës si një zbulim. Në një shumësi punësh ai i’u kushtua trupit të gruas, spariherë si energji përtëritëse dhe si mjet komunikimi estetik. Kjo epërsi, ky dominim i femrës, nuk kridhet në tablonë e piktorit në mënyrë rastësore. Ajo vendoset si element shprehës, si nevojë e mjeshtrit për ta orjentuar shpërthimin kumtues përnga gufojnë përjetimet dhe jetësimet në tablotë e tij monumentale.
Shpirti i këtij gjahtari gjendjesh të epshme priret të dëshmojë njëherash dhe botëkumtimin që ngas në këtë lojë të prushtë përjetimi dhe krijimi.
Gustav Klimt, siç dhe mëton në një perifrazë të tij, se “I gjithë arti është erotik”, në veprën që la, dëshifrojmë huazimin e marrëdhënieve mashkull-femër nga gjuha simbolike e ëndrrave. Një terren parafrojdian shtresohej prej humusit së tij kumtues. Në tablo, një hapësirë e zbrazët e ndjek si një domosdo për ta mbushur me ngjyrën që ai i jep ofsheve. Shpesh ky bosh i ngjan një jehone të frikshme, e mbushur me makth dhe panik. Sepse ai jeton tokësoren e konsumimit të këtij akti të hyjshëm. Jeton krisjen dhe thyerjen. Sprovon, ndalet dhe riniste sërish më me zjarr. Femra që ka marrë në dorë frerët e zotërimit të mashkullit e ngjeth piktorin dhe ai e dëshmon hera-herë.
Sfida e tij erotike është një përleshje me kohën dhe vetveten si vullnesë çliruese. Forca gllabëruese e femrës në pikturën e Klimt, e ka të përcaktuar qartë pozitat e saj, atë të dominimit, dhe e nis ta bëjë këtë duke sfiduar që nga tabloja. Klimt është i paparashikueshëm, te “Judith ose Salome” ai e gozhdon publikun para një “orgazme vrasëse” në praninë e një joshje fatale, në vend të portretit të një gruaje të virtytshme. Te “Frizën Beethoven”, një shpërthim estetik i jashtëzakonshëm i Klimt, parajsa është një nga motivet më të rëndësishme që shpërfaqet nën dominimin e një të arte diellore. Për të kulmuar te “The Kiss”, e cila është nga emblemat e Gustav Klimt. Një dashuri në ekstazë, të cilës i hidhet mbi lakuriqsi të epshme një mantel i florinjtë, stolisur me një gjuhë simbolike, thellësisht erotike. Thua se ka rrëmuar të gjitha kulturat dhe ka nxjerr së andejmi mëtimet abstrakte të simbolizmit që kumtojnë pasionin e zanafillës, elementin bazë të krijimit, seksin. Trupat i përthyen në densitetin e përqafimit. I mbërthen me gishtërinjë të stërgjatë e trupa që i zgjat joshja. Burri në ngulmin për të dominuar, e ka vënë parfundi objektin e joshjes së tij të epërme. Femra është përthyer në gjunjë, duke ngasur afrinë dhe gadishmërinë për tu dhënë. Shkrehja e saj lexohet në portretin që është fikur në zjarrin e brendisë ku ajo po tretet. Në ngulme që nuk e ndalën, Gustav Klimtin, dallon prej tjetërkujt, teksa bashkon disa figura, të cilat i trajton po aq shkujdesshëm në telajon e bollshme sa dhe simbolet. Ai i vendos personazhet në hapsira që zbraztësinë e lëmojnë me një ngulm të rrafshët si jehonë e errët dhe boshe.
Një ngasje që të përfshihet stuhishëm në një gjëndje, gjithnjë të mbarsura me pasioni dhe pjesëmarrje të vetvetishme në atë shtjellë çuçuritëse ndjenjash dhe afshesh, nënshtrimi dhe dominimi seksual. Ky është sinopsi i gjithë çfarë mbërtheu në sëmbim krijues, Gustav Klimt. Ai është në të gjithmonshmen e pranisë artistike, vetëm brenda kësaj vorbulle, këtij shugurimi të epërm, të domosdosë së njeriut për të guxuar dhe për të dëshmuar, se në jetën e tij, seksi dhe femrat, janë të rëndësishme. Arti dhe familja gjithashtu, ishin dhe mbeten deri në fund për mjeshtrin e madh, një domethënie botkuptimi dhe shëmbëllimi sublim. Marrëdhëniet poligame, 14 fëmijet me bashkëshorten, një yshtje kjo në shumë prej kryeveprave që la pas, janë dëshmitar të asaj që përcaktojnë veçorinë dalluese të këtij kolosi të brendisë së emëtuar në pikturë.
Në galerinë e pamatë të piktorit, është e kudogjendur ajo që do ta bënte këtë penel, një admirim i gjithmonshëm, një kurth ku shkrehet çdo andje, joshja. Koloriti i zgjedhur, teknika e përdorur, përmasat dhe kumti i ligjërimit, ofrojnë bashkë me personazhin femër, universin e koduar të marrëdhënieve. Fillimisht të vet Klimt, e në vijimsi të femrës më realitetin seksual, me filozofinë e funksionimit të marrëdhënieve me meshkujt. Ai përgjon brenda vetes, si të mjaftueshme rrëmetin e përvojave, duke i vendosur ato kudo, si subjekt, ngjyrë, linjë, dritëhije a sfond.
Vetvetja i duket e mjaftueshme, dhe ashtu e lexojmë në punët e tij, në marrëdhënie me femrat, pasionin, seksualitetin, epshin dhe ndjesinë e dominimit prej këtij dimesionin ekzistencial. Klimt, me gjasë, s’kishte shumë më shumë se të tjerët për të thënë për seksin, për marrëdhëniet me femrat, për magjinë që kumton pasioni i shkulmeve uturitëse të gjakut dhe kurmit. Ai “guxoi” që tabutë ti kthente në shprehje estetike, në marrëdhënie artistike, një dimesion të ri komunikimi për botkuptimin e atëhershëm e të mëpasshëm. Dalldia seksuale duket se pasi ka mbushur deri në buzë pasionet babëzitëse të tij, pjesa që derdhët është jo më pak zjarrvënëse, ndjellëse, ngasëse, përjetuese, se e gjithë ajo masë që mbush e çmbush papushim atë. Duke e mëtuar kohës gjënë që kishte më të shtrenjtë, dhe duke e bërë këtë si kurrkush tjetër derimtash, jo vetëm guxoi dhe e pësoi, por ngulmoi dhe mbërriti. Po, përnjimend mbërriti në atë pjedestal që as ai vetë nuk e bluante në hamendjen e qasjeve për lavdi, që kaq të qëllimshme mbarteshin asokohe.
Femra një tipar joshës u përfshi në subjekt dhe impresion, mesazh dhe dekodim, në sfond e në kënd, në ngjyrë e në formë. Ai vetëm sa konstatoi atë qe ishim, jemi dhe do të mbetemi të njëmendtë. Femrë, dhe gjithçka që ajo është e destinuar të ofrojë e transformoi në një nocione soditëse. E gjitha kjo, që magjia të mos mbete një trill, një vegim, por një realitet.
Ajo është aty para nesh e gatshme të ofrohet dhe sejcili ndër ne të jepet. Në pikturën e Klimt, veshjet nuk mbulojnë, ato përdoren qëllimisht për të zbuluar, për të dramatizuar situatën, për të kallur misterin e joshjes. Dhe këtë e bën duke e ndërfutur lakuriqsinë nën poren e delikate të qëmtesave simboliste. Kulturave të ndryshme, Klimt u merr elementet, si bima tokës, për t’i derdhur jo dhe aq shkujdesur mbi tablo si stoli, si ojna, si ornamente. Stolitë që i nderen përqark atij kurmi, janë pjesë nga armatura e kahershme e mashkullit të destinuar, e partnerit, të cilit nuk i mjafton vetëm prania. Etja prehistorike, që e djeg përbrenda, që e ysht ngutaz, kërkon gjuhë të shprehet, simbolikë të komunikojë, të dëshmojë tash, atë që u tha dhe mbase nuk e dëgjuan prej Egjiptit deri në Bizant. Tash kur mbetemi soditës, muzat e Klimtit i kanë hequr bashkë me petkat dhe mëdyshjet, dhe po presin. Këtë pritje e lexon sekush në sytë që shohin përmbytaz. Mrekullia grua është e aty, e gatshme për t’iu dhënë çdo soditjeje.
Ndërsa kureshtia dhe ama e adhurimit shkulmon prej dritës dhe zbraztësisë, abstraksionit dhe formave të tendosura në simbolizëm, ndjehet një frymëmarrje që shtërzen, një gulç që copëzohet e merr formë të avullt që rrethon subjektin. Kjo duket se ka lidhje me një ankth të brendshëm të artistit. Frika nga rreziku i tërheqjes seksuale, nga ana shkatërrimtare e një femre dhe mbi të gjitha, vuajtjen në sensin frojdian. Gjithëpoaq, Klimt s’ndalet. Gjithnjë e bukura ka diçka tjetërqysh pa thënë, epshi të tjera shkulme premton, yje pafund që i ndrijnë vagullt, në natën që i varet mbi, si një mantel.
Kush ishte themeluesi i shkëputjes vjeneze
Gustav Klimt lindi më 14 korrik të vitit 1862 në Baumgarten, në rrethinat e Vjenës. I ati, emigrant nga Bohemia, dështoi në zanatin prej argjendari dhe fëmijët e tij u rritën në varfëri të skajshme. Familja e Klimt, ashtu si shumë të tjera në Vjenën e viteve 1860, ishte në gjendje shumë të keqe financiare. Ata jetonin në shtëpi të vogla, të errëta, duke ndryshuar shpesh adresë, gjithnjë në kërkim të një strehe të lirë. Kur ishte vetëm 14 vjeç, Gustav la shkollën, por arriti më pas të regjistrohej në një kolegj lokal për art dhe punime artizanale. Në kolegjin “Bÿrgerschule”, aftësitë e tij artistike ranë menjëherë në sy. Aplikoi dhe siguroi një vend në “Kunstgewerbeschule”, Shkollën e Artit dhe Punimeve Artizanale në Vjenë, një prej dy shkollave publike në kryeqytet. Ai ishte aq i talentuar saqë fitonte duke hyrë në komisionet e pikturave në shkollë. Krijoi një shoqëri me vëllezërit Ernst dhe me një student tjetër, Franz Matsch. Deri në vitin 1890 kompania “Klimt-Matsch & Co.” fitoi shumë me anë të komisioneve për ndërtesat e reja që ngriheshin. Deri në fund të qëndrimit në “Kunstgewerbeschule”, Klimt së bashku me ortakët e tij themeloi edhe një shoqëri artistësh, “Kÿnstlercompanie”. Kur u largua nga shkolla në vitin 1883, Klimt dhe Matsch nisën të punonin me kohë të plotë për të piktuaruar me porosi. Klimt dëshironte të konsiderohej si një piktor i dekoracioneve arkitekturore, një reputacion që vihej në dukej nga natyra e komisioneve të hershme në karrierën e tij, ku përfshihen punimet në kisha, muzeume dhe teatër. Disa seri pikturash si “Alegoritë” dhe “Emblemat” u prodhuan me kërkesën e një pronari. Pas këtij suksesi iu kërkua një tjetër seri që u realizua në vitet 1896- 1900, ku përfshihet edhe piktura e Klimt “Tragjedia”. Në këtë pikturë, dolën në pah elementë që do ta karakterizonin artistin në veprat e mëvonshme: zona të përqëndruara në detaje, ngjyrat e arta, forma e femrës, simbolizmi klasik dhe hapësira abstrakte.
Në vitin 1897, ai ishte figura kryesore në themelet e shkëputjes vjenez, dhe pas pak vitesh ai kishte bërë përfaqësuesi më i mirë i stil modern. Në vitet e mëvonshme, ai tregoi një vlerësim të avant-gardës, tendencave të Ekspresionizmi. Talenti i jashtëzakonshëm i siguroi suksesin e punës që përmbante materiale të ndryshme shprehëse në një përbërje, duke kujtuar traditat gotike dhe bizantine, ndërsa gjithashtu duke parashikuar artin multimedial të shekullit të 20-të.
Synimi drejt kreut ia mbushën rrugën me gropa të thella dhe vramëndje të mëdha. Mitin e tij në embrion e sulmojnë skandalet periodike, si në rastin e pikturave të tij në Universitet, i cili më në fund duhej ti hiqte. Edhe pse Perandori Franz Josef I, e kishte nderuar Gustav Klimt me “Urdhërin e Artë e Meritës”. Klimt vendos të rebelohet, të dëshmojë vetveten: “Mjaft prej censurës … Unë dua të largohem … unë refuzoj çdo formë të përkrahjes nga shteti, unë do të bëj pa të…” /albertvataj/ KultPlus.com