10 Mars, 2024 - 9:30 am
Fatmir Haxhiu është njëri ndër piktorët më të shquar shqiptar, shkruan KultPlus.
Ai lindi në vitin 1927 në qytetin e Gjirokastrës. Më pas familja e tij u zhvendos në Tiranë, aty ku piktori do të jetëoj deri në ditën e vdekjes, më 10 mars të vitit 2001.
Haxhiu kryen me sukses studimet në Zagreb për t’u kthyer në atdhe me pasion të madh për pikturën. Fatmir Haxhiu do të marrë pjesë në aktivitete artistike e festa kombëtare.
Vitet ’50 janë shumë të frytshme për të. Ai bëhet krijues i studios së parë ushtarake në Shqipëri, ku pasohet dhe nga artistë të tjerë, derisa në vitin 1959 merr pjesë në ekspozitën kombëtare të pikturës, ku vlerësohet me çmimin e dytë. Haxhiu ka qenë aktiv me vizatime e grafika në revistën “10 korriku”, po ashtu ka krijuar shumë ilustrime me emocion dramatik.
Gjatë karrierës së tij të pasur, Haxhiu, nderohet me shumë cmime të rëndësishme, përfshirë Çmimin e Republikës së shkallës së parë dhe të tretë. Gjithashtu atij iu ndanë titujt e lartë “Piktor i Merituar”, “Mjeshtër i Madh i Punës”.
E, veprat e tij u bënë popullore pasi që ai i botoi ato nëpër shumë gazeta të kohës si “Drita”, “Puna”, “Zëri i popullit”, “Ylli” e të tjera. / KultPlus.com