13 Mars, 2021 - 7:53 pm
Bienalja Ndërkombëtare e Akuarelit është çelur në Muzeun Historik Kombëtar. 310 artistë nga 58 vende të botës ekspozojnë tablotë, në të cilat kanë trajtuar temën “Natyra e qetë”.
Kuratori i ekspozitës, piktori Helidon Haliti e cilëson këtë edicion të katërt të Bienales, që po zhvillohet në këtë periudhë të pazakontë për shkak të pandemisë Covid 19, si kremtim të bukurisë së natyrës dhe jetës
“Janë veprat e 310 artistëve, mes tyre 150 profesionistë edhe të tjerët amatorë në këtë fushë, që prezantohen këto ditë në Muzeun Historik Kombëtar. Së bashku me kuratoren Ormira Lulani vendosëm si subjekt kryesor “Natyrën e qetë”. Artistët sjellin botën e tyre shpirtërore, që kanë kaluar gjatë pandemisë. Këtë e kemi bërë për të treguar se në këtë vit të vështirë jemi të gjithë bashkë”, thotë Helidon Haliti.
Artistët, si Skënder Kamberi, Ronald Runaj apo edhe të huaj, Hermi Kurner, Gerta Sabbe, Olga Vatkova, Li Lei, Aneta Gajos etj.,por edhe amatorët përmes akuareleve sjellin skena të gëzueshme, që kanë në qendër ardhjen e pranverës, lulet dhe frutat, jetën e përditshme, objekte, por edhe imazhe të tjera që vijnë si rezultat i imagjinatës së tyre
“Për hir të së vërtetës mungon e qeshura. Ne sjellim një lloj gëzimi, pasi arti pamor nuk ka pengesa sa i përket numrit të vizitorëve, që mund të vijnë ta shikojnë nga afër një vepër arti. Në ekspozitë, por edhe në katalog do të vihet re ndryshimi se si artistët nga një vend në një tjetër trajtojnë natyrën në akuarel. Shkolla e Europës e koncepton ndryshe, më me mençuri edhe përkushtim, ndërsa shkolla aziatike vjen me një teknik të përsosur, që është kulmi dhe fundi i akuarelit”, thotë Haliti.
Bienalja do të qëndrojë hapur në sallat e Muzeut Historik Kombëtar deri në datë 24 mars. /shqiptarja/ KultPlus.com