38 vite nga vdekja e Odhise Paskalit, themeluesi i skulpturës shqiptare

13 Shtator, 2023 - 10:40 am

Odhise Paskali, cilësohet si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.

U lind në Përmet më 22 dhjetor të vitit 1903, i biri i Paskal Thanasit dhe Kaliopesë së Lami Papadhimitrit. I ati në fillim qe sekretar në administratën turke të duhanit në Dishkatë e Kozhan dhe më pas prift në Koblarë, Miçan, Frashër, Zavalan e Soropull të Dangëllisë, në Lipe e Leusë pranë qytetit të Përmetit dhe në Bënjë të Shqerisë. në hapësirën e viteve 1903 – 1919, ka jetuar e qëndruar pranë familjes, me prindërit, Paskalin e Kaliopin, si dhe me tri motrat, me Uraninë, me Angjeliqinë dhe me Elpiniqin, në qytetin e Përmetit (1903 – 1910, 1914 – 1919, me disa muaj qëndrimi larg qytetit gjatë vitit 1916), në Koblarë (1911 – 1914) dhe në Frashër (nga maj deri në shtator apo tetor 1916). Më 1919 ai shkoi në Itali, ku më 1923 kreu Liceun dhe u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino, ku më 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit.

Më vonë, në 1931 krijoi shoqërinë “Miqtë e artit”. Në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit. Ai u bë nismëtar për krijimin e shoqërisë “Studenti shqiptar” në Torino dhe për botimin e revistës së studentëve shqiptarë të atjeshëm në vitet ‘20. Ndërsa në vitet ‘30 e shohim nismëtar të shoqatës “Miqt e Arbrit”; si organizator të së parës ekspozitë të arteve figurative dhe të çeljes së Shkollës së Vizatimit në Tiranë.

Hapat e para të karrierës së Odhisesë janë në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti. Shkroi artikuj të ndryshëm me mendime e meditime për artin në mjaft organe shtypi të vendit apo të huaja. Nëse mund t’u hedhësh një sy artikujve të tij të viteve ‘20, mund të vësh re aktualitetin e tyre edhe sot. Sikur këto shkrime të autorit të mblidheshin, mund të bëhej një botim i veçantë mbi publicistikën e tij. Odhisea dinte t’u përshtatej me shumë zgjuarsi situatave në çdo kohë. Duke gjykuar se vendi në vitet ‘20-‘30 kishte mungesë skulptorësh, me të mbaruar fakultetin dhe studimet për artin, i përvishet punimeve plastike, pra artit të skulpturës pranë ateliesë së një skuptori italian realist e monumentalist të Torinos. Kështu ai bëhet skulptori i parë profesionist shqiptar.

Me pushtimin fashist të vendit, Odhisea si erudit në fushën e artit, caktohet anëtar i Institutit të Studimeve të atëhershme, por në mungesë edhe të porosive të mjaftueshme, për ngritje shtatoresh, detyrohet të çelë një punishte për përgatitje shkumësash për nevojat e shkollave të vendit. Me çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, krahas vazhdimit të krijimeve skulpturore për figurat e rilindasve, në tematikën e punimeve të tij zënë vend edhe heronjtë e popullit dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen. Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi në vendlindje një sërë veprash, midis të cilave skulpturën e “Partizantit Çlirimtar”, punën e grupit skulpturor “Shokët” në varrezat e dëshmorëve të Përmetit; bustin e Naimit; të Nonda Bulkës dhe të Fanjo Çiçakos në qytet; bustet e vëllezërve Frashëri në sheshin para Shtëpisë Muze në Frashër, bustin e dr. Refat Frashërit, etj. Kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Përmetit, ai e plotësoi me tri figura për të përjetësuar edhe tre kushërinjtë e tij të parë (Harallamb Papa, Gaqi Vinjau e Foti Adhami). Në shtëpinë e piktorit të merituar Aristotel Papa, që ka më shumë se një vit që është ndarë nga jeta, ndodhet edhe një bust i vëllait të tij, dëshmorit Harallamb Papa, punuar e dhuruar nga Odhisea vite më parë. Ndoshta ky bust mund të mos jetë evidentuar nga Galeria Kombëtare e Arteve Figurative. Odhisea, duke iu kushtuar kryekëput krijimtarisë së tij, nuk ishte i prerë për çështje administrative. Kur u emërua drejtor i Galerisë së Arteve aty nga vitet ‘60, ai nuk kishte dëshirë as t’i vinin telefon në zyrë, pasi zilja e tij e shqetësonte dhe nuk e linte të punonte. Përveç punimeve konkrete, ai mbante shpesh shënime në formë ditari, qoftë për meditime mbi artin qoftë edhe kujtime historike, gjë që bëri të mundur, që një vit pas vdekjes së tij më 1986, të botohej libri “Gjurmë jete”, një material në fakt i shkurtuar e i cunguar.

Skulptori i Popullit është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat: “I urituri”, “KETI”, “Malësori”, “Luftëtari Kombëtar”, në Korçë “Themistokli Gërmenji”, në Korçë; “Ushtari i panjohur”, “Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968; “Naum Veqilharxhi”, bust në bronx , në Korçë; “Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968; “Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)”, “Isa Boletini”, “Fan Noli”, “Onufri”, “Jeronim De Rada”, në Tiranë, “Pashko Vasa”, “Zef Skiroi”, “Çerçiz Topulli”, “Naim Frashëri”, “Vojo Kushi”, “Migjeni”, “Enver Hoxha”, “Idriz Seferi”, “Ahmet Zogu”. / KultPlus.com

Të ngjajshme