20 Prill, 2018 - 3:50 pm
Zbulohet tema e Pavilionit të Kosovës në Bienalen e Venedikut për arkitekturë. Kuratorja Eliza Hoxha tregon më shumë detaje rreth ekspozitës gjersa vazhdon ftesën e saj ndaj qytetarëve për dhurimin e satelitëve. Satelitë këta që do merren nga shtëpitë e qytetarëve dhe do dërgohen në Venedik, në kuadër të ekspozitës, shkruan KultPlus
Alberina Haxhijaj
Pavilioni i Kosovës këtë vit fokusohet në periudhën e viteve të ’90, ku paralelizmi ishte një mënyrë e mbijetesës kolektive dhe e mobilizimit social të shqiptarëve etnik në kontekstin e pabarazive politike, etnike dhe ekonomike.
Për ta prezantuar Pavilionin e Republikës së Kosovës, kuratorja Eliza Hoxha ka zgjedhur që të paraqes shtëpinë si kompensim për qytetin. Gjithë kjo vjen pasi që përgjatë viteve të ’90-ta shqiptarët e Kosovës u përjashtuan nga të gjitha aktivitetet e jetës institucionale publike për shkak të situatës politike dhe konflikteve në ish-Jugosllavi. Si pasojë e kësaj shqiptarët e Kosovës krijuan sistemin paralel të institucioneve publike nëpër shtëpitë private në zonat periferike të qytetit.
Prandaj shtëpia jonë në bienale është shtëpi nga pamja e jashtme por që brenda është hapësirë publike. Pikërisht në këtë shtëpi vërehen dy elemente.
Fillimisht hapësira e pavilionit të Kosovë është e mbështjellë me pasqyra ku kjo krijon efektin e zgjerimit të hapësirës dhe hapjes si metaforë për lirinë psikologjike, por jo edhe atë fizike duke qenë se pasqyra njëkohësisht është barrierë fizike dhe ballafaqimi.
Në anën tjetër streha janë satelitët. Të privuar nga marrja e informacionit, gjatë viteve të 90ta, familjet kosovare kanë blerë antena satelitore. Çdokush, lehtësisht mund të shënjonte në mënyrë precize në peizazhin urban se cilat banesa u takonin shqiptarëve të Kosovës, thjeshtë sepse këto antena satelitore që dukeshin si qarqe të bardha, qëndronin të varura në ballkonet e tyre.
Ndërsa brenda për ti dhënë një dimension të ngrohtë hapësirës është do të vendoset një tepih i punuar në vek, i cili sjellë hartën mentale të viteve të 90-ta ku janë shënuar shtëpitë apo hapësira që kanë shërbyer gjatë këtij vite.
Kuratorja Eliza Hoxha tregoi se titulli “Qyteti është gjithandej” vjen për arsyeje se këto vite janë shquar për gjithëpërfshirje. “Pavilioni nuk ekspozon diçka specifike por vet si i tillë është një vepër në vetë. Tema e pavijonit tonë ka qenë shumë sfiduese, në kontekstin e temës së përgjithshme e që është hapësira e lirë. Shumë gjatë kam menduar se çka mundet Kosova me prezantu në kornizën e asaj se çka nënkupton hapësira e lirë në Kosovë dhe si realizohet ajo, kush e prodhon dhe si shfrytëzohet ajo. Konteksti i viteve të 90-ta, një kontekst shumë pak i eksploruar për shumë arsyeje mendoj që ka qenë moment shumë i mirë për me ju rikthye edhe me e rimendu e risjellë si një rrëfim më gjithëpërfshirës, pikërisht siç kanë qenë edhe ato vite. Dhe me e paketu siç është në këtë rast ekspozita në kuadër të Bienales së Arkitekturës”, është shprehur kuratorja Eliza Hoxha.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se për shtetin e Kosovës është shumë e rëndësishme pjesëmarrja në një ngjarje të tillë. Sipas tij kjo është mënyra më e mirë që Kosova të shpalosë sfidat dhe rrëfimet e saj pas një viti mungesë apo mos pjesëmarrje në Bienalen e kaluar.
“Eliza ka përzgjedhur që në kuadër të kësaj temë të prezantohet Kosova me rrëfimin për vitet e 90-ta. Rrëfimi sa është i rëndësishme që të ndahet më të tjerët në kontekstin global besoj që është edhe në kontekstin lokal, për shkak se ne nuk kemi biseduar dhe nuk i kemi memorizuar akoma zyrtarisht shumë nga ngjarjet dhe temat që kanë ndikuar për shtetformimin e Kosovës”, tha ai. Sipas tij kjo ka rëndësi edhe për gjeneratat e reja që të njohin më mirë vendin e tyre dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi.
Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut për arkitekturë, do të hapet më 24 maj në orën 14:15 në Arsenale./KultPlus.com