3 Janar, 2024 - 12:08 pm
Ballsor Hoxha
Në pikturën e abstraksionit objekti më është ide dhe ideja është ngjyrë dhe ekstazë e manifestim i vëzhgimit dhe përcjelljes së udhës së kësaj ideje. Në abstraksionin e Luljeta Rama Muçaj po kjo është edhe një histori në vete. Në të vërtetë, abstraksioni i saj, mund të shihet në dy mënyra: si abstraksion i ekstazës dhe ndjeshmërisë, poezisë dhe muzikës së ekstazës së amalgamimit të shiut me dheun; dhe në një pikëpamje më analitike si ekstazë amalgamomi dashurie. Dashuri mes dheut e shiut, apo ndoshta edhe e përbrendshmja e dashurisë së njeriut me njeriun.
Maurice Blanchot kur flet për dy versionet e imagjinares sonë, ai merr shembull piktoren e cila e dorëzon objektin në krijimin e saj dhe me këtë në një mënyrë e vjedhë dhe e çanë realitetin përgjysmë, duke krijuar një realitet të ri përmes krijimit të piktores. Po të marrim, vetëm këtë parafrazim të Blanchot, do të kishim një realitet krejtësisht të ndjeshëm, të afërt nën lëkurë tonën, dhe një përjetim aq të thellë dhe të madh, gjigant, të ekstazës së takimit të energjive, sidomos atyre nën tërheqje.
Dhe prej këtu vëzhgimit, apo siç thotë Blanchot vjedhjen e objektit/idesë në një realitet të ri. A jemi në një realitet krejtësisht personal dhe në të njëjtën kohë universal në pikturat e Luljetës. Është e vërtetë, kjo pikturë arrin të krijojë një përjetim krejtësisht unik të të bukurës së ekstazës së tërheqjes, shtrëngatës dhe gurgullimit të energjive nën përqafimin e tjetrës.
Piktura e Luljetës është e mbrujtur prej gjakimeve të mbajtjes, ruajtjes dhe vëzhgimit të aromave, të vrundujve të energjisë së natës, të verës, të acarit, e të dheut pas shiut.
Më tutje në këtë pikturë dheu është sikur loja e fëmijëve me brumë, i manovruar dhe zotëruar artistikisht në të gjitha shpërbërjet e tij pas këtyre vrundujve të dheut pas shiut.
Në pikturën e Luljetës ka një durim prej artisteje të arrirë të pjekur dhe shumë të aftë teknikisht dhe në motivet e saj. Ka një kompozicion jo vetëm teknik, por edhe të ndjeshmërisë që të bën të ndjesh aromën e gjërave pas shiut, shpërndarjen dhe shpërbërjen e tyre, kështu duke kaluar nëpër të gjitha kalimet dhe simboizat e gjërave nën ekstazën e këtij çlirimi të shiut, por duke e marrë p[r objekt vëzhgimi dheun.
Motivet e pikturës së Luljetës janë tejet tejet të thella, dhe aq më shumë të pazbuluara në tërësinë e tyre kështu duke krijuar kureshtjen tek shijuesi që të vëzhgojë këto fenomene të kapura nga Luljeta dhe të hyjë thellë e më thellë në magjinë e saj, që në të vërtetë është magjia e tokës dhe ekstazës së saj.
Do të kishim veçuar disa piktura, megjithëse i tërë koleksioni është i mbamendshëm dhe një prej kulminacioneve të artit në figurativ në Kosovë.
Piktura Rjedhë
Në këtë pikturë, ka një mister të thellimit të vëzhgimit dhe pikturimit dhe artit të Luljetëls e cila krijon një masë të papërmbajteshme, gati se të papërballueshme të të zezës së dheut/thellësisë së tij, kështu duke e shpërfaqur guximin e saj artistik por edhe të eksplorimit në këto vepra të saj. Në të vërtetë e paikshmja, kontrasti përmes nuancës së ngjyrës kontrastuese e hollon dhe e realizon në thellësitë e saj pikturën e saj. Me të vërtetë pikturë e guximshme, që kapë në tërësinë e saj atë kureshtjen e njeriut: si është nëntoka, dheu, nata, e zeza, etj.
Piktura Në Pritje
Është sigurisht ndër pikturat më të arritura të Luljetës që në të vërtetë ka inspirim pikturën Rilindjes të Romës, atë që sot e quajmë klasike, me ngjyra dhe harmoninë e ndriçimin brenda saj. Mirëpo në të vërtetë këtu do të ndaleshim, më shumë në atë që asocon apo që thekson në ne titulli i kësaj pikture me kompozicionin e saj, e që është esktaza e trupit të dheut që në “pritje” vlon dhe derdhet i shpërthyer nga ekstaza. Ka një shtrëngatë, një luftë, një ballafaqim, një ushtimë uturimë dhe një shpërthim të të bukurës nga tërheqja e fenomeneve nën influencën e ekstazës.
Piktura Mos
Është pikturë e cila në ndërlidhje me pikturën Rrjedhë si diptik krijojnë thellësinë më të madhe të brendësisë së ndjesisë së dheut, natëls e të zezës, në abstraksion, dhe në këtë arrijnë diku në thellësitë e vdekjes dhe asaj që përfytyrojmë në vdekjen, si humbje dhe përhumbje, pezullim në mungesën.
Piktura Natën
Natën në këtë pikturë Luljeta e sheh si një udhëzim, kalim i shtrëngatës dhe me këtë qetësi, kthjelltësi dhe prehje e shtrëngatës.
Piktura Dirdhje
Sigurisht një prej bukurive më të rralla në artin Kosovar së paku, një kryevepër e penetrimit në asocimin e shkarkimit të eskstazës së shiut në tokën dhe me këtë përhapjen e një ndjesie aq të hollë të të bukurës dhe të kalimit të shtrëngatës së takimit të shiut me tokën. Por edhe vlen të ceket teknika e saj e pikturës japoneze aq mirë të asimiluar në këtë./KultPlus.com