15 Maj, 2018 - 5:25 pm
“Mbreti i Maskave” Guerrino Lovato ka mbërritur në Tiranë për të bërë të njohura 100 nga punimet e tij më të mira për ata që adhurojnë maskat e veçanta.
Nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar, artistit Vladimir Myrtezai Grosha dhe kuratores Migena Hajdari nga galeria Blu Art Itali dhe Institutit Italian të Kulturës, në sallën “UNESCO” të Muzeut Historik kombëtar u zhvillua ditën e djeshme takim i zgjeruar me mjeshtrin Guerrino Lovato për prezantimin e punës së tij të veçantë.
Guerrino Lovato, mjeshtrit i Artit Venecian, realizon gjithfarë shëmbëlltyrash, me një kosto fare të vogël, por me një vlerë mjaft të madhe. Ai i krijon veprat e tij duke u frymëzuar nga kryeveprat artistike, portretet e personazheve historike, figurat alegorike dhe mitologjike si dhe nga tradita e “Komedisë së Artit” italian. Ndërsa punët e tij mund të përdoren gjërësisht në një ballo, festë karnavalesh, apo në një film me metrazh të gjatë.
Mjeshtri Guerrino Lovato tregoi për publikun në sallë përmes pamjeve që transmetoheshin nga projektori, se si kishte punuar për të realizuar 100 nga 500 punët e tij. “Kam përdorur materiale të thjeshta dhe ekonomike, që kanë fare pak kosto, madje edhe prej letre, por që marrin vlerë mjaft të madhe”, është shprehur mjeshtri Guerrino Lovato.
Gjatë prezantimit të punëve të Guerrino Lovato ,fjalën e mori dhe Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi i cili theksoj se marrëdhëniet e Shqipërisë me Venecian kanë qenë shekullore dhe se vetë institucioni që ai drejtonte kishte në themel të programit të tij, jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare por dhe pasqyrimin e trashëgimisë së vendeve të tjera.
“Maskat janë një pjesë e rëndësishme e kulturës Veneciane, ndaj dhe puna e mjeshtrit Guerrino Lovato duhet të bëhet e njohur për dashamirësit e këtij arti në Shqipëri”, tha mes të tjerash Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi. Ai më pas vlerësoi dhe iniciativën e kuratorëve Vladimir Myrtezai dhe Migena Hajdari të cilët bënë të mundur ardhjen e këtij Mjeshtri të Madh.
Guerrino Lovato është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Venecias. Që prej vitit 1983 ai ka studion e tij, ku përveç maskave të famshme veneciane, ideon dhe krijon instrumente dhe makineri për teatrin, operën-kinemanë dhe në këtë drejtim ai ka bashkëpunuar me regjisorë të famshëm si Stanley Kubrick (për filmin “Eyes Wide Shut” me aktor kryesor Tom Cruise) dhe Paolo Sorrentino. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: Projekti Presepe di Vennezia për Komunën e Parisit në Paris, tema e njohur që evokon lindjen e Krishtit; është autor i librit “Objekte dhe skulptura në kartapestë”. Disa skulptura për Parkun Guliver në Tokio.
Ka organizuar kurse për maskat në disa shtete, si: Itali, Gjermani, Francë, Siri, Amerikë, Brazil, Rusi etj. Një ndër skulpturat e tij të njohura është një statujë e Jezusit në stilin e Mikelanxhelos, 6 metër e lartë, kjo me kërkesë të Vatikanit. Përvoja e tij kombëtare dhe ndërkombëtare është mjaft e pasur, e shoqëruar vazhdimisht me një energji tipike.
Gjithashtu, mjeshtri Lovato zhvilloi një vizitë në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar, i cili u impresionua nga koleksioni i Pavijonit të Lashtësisë dhe ai i ikonave./ata