Drejtoresha Halimi viziton ekspozitën ‘Homazh’: Fahredin Spahija është intelektual dhe filozof i imazhit që fton për të ripohuar të vërtetën historike

16 Shkurt, 2025 - 6:07 pm

Këto ditë fotografi Fahredin Saphija ka hapur ekspozitën personale të titulluar “Homazh”, në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, e cila iu dedikua 17 personaliteteve të njohura të kulturës shqiptare, të cilët nuk jetojnë më.

Ekspozitën “Homazh” sot e ka vizituar Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, për të cilën tha se nuk është thjeshtë një ekspozitë fotografike, por një reflektim i thellë mbi rolin e artistëve në ndërtimin e identitetit shqiptar.

“Nëpërmjet portreteve të tij, Fahredin Spahija nuk e dokumenton vetëm fizionominë e personaliteteve të artit, por depërton përtej sipërfaqes, duke na dhënë një kujtesë vizuale mbi esencën e krijimtarisë së tyre”, ka thënë Drejtoresha Halimi.

Tutje, ajo u shpreh se Fahredin Spahija nuk është vetëm fotograf, por një intelektual i angazhuar, një filozof i imazhit, i cili fton për të kujtuar dhe të ripohuar të vërtetën historike përmes fuqisë së kujtesës vizuale.

“Kjo ekspozitë është dëshmi se arti dhe historia janë të ndërthurura në një dialog të vazhdueshëm: përmes artit të tyre, këta krijues e artikuluan qenësinë tonë, e zgjeruan hapësirën e mendimit dhe na drejtuan kah një vetëdije më e lartë.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Drejtoreshës Sibel Halimi në rrjetin social “Facebook”:

Një histori arti nën optikën e filozofisë dhe fotografisë së Fahredin Spahija

Ekspozita “Homazh”, e organizuar në vigjilje të festës së Pavarësisë së Republikës, nuk është thjesht një ekspozitë fotografike, por një reflektim i thellë mbi rolin e artistëve në ndërtimin e identitetit tonë. Nëpërmjet portreteve të tij, Fahredin Spahija nuk e dokumenton vetëm fizionominë e personaliteteve të artit, por depërton përtej sipërfaqes, duke na dhënë një kujtesë vizuale mbi esencën e krijimtarisë së tyre.

Arti nuk është vetëm një pasqyrë e realitetit, por një medium për të njohur vetveten dhe për të orientuar rrugëtimin tonë shpirtëror. Kjo ekspozitë është dëshmi se arti dhe historia janë të ndërthurura në një dialog të vazhdueshëm: përmes artit të tyre, këta krijues e artikuluan qenësinë tonë, e zgjeruan hapësirën e mendimit dhe na drejtuan kah një vetëdije më e lartë.

Portretet e Spahisë janë të veçanta sepse nuk janë vetëm imazhe—ato janë reflektime të thellësisë së brendshme të artistëve, momente të ngrira të një introspeksioni të përjetshëm. Një figurë që spikat në këtë cikël është Violeta Rexhepagiqi, gruaja e vetme në ekspozitë, e cila shndërrohet në një simbol të një arti që shpërthen kufijtë e kanonit dhe klisheve të përcaktuara. Subjekti i saj nuk është thjesht një individ, por një koncept: emancipimi si akt i çlirimit nga normat e ngurta dhe si hapësirë e lirisë krijuese.

Kjo ekspozitë na kujton një të vërtetë të thellë: krijimi i një shteti nuk është vetëm një akt politik, por edhe një proces shpirtëror dhe kulturor.

Arti ka qenë dhe mbetet pjesë e pandashme e kësaj ndërtese historike. Prandaj, Fahredin Spahija nuk është vetëm fotograf—ai është një intelektual i angazhuar, një filozof i imazhit, i cili, përmes artit të tij, përmbush një mision: të kujtojë dhe të ripohojë të vërtetën tonë historike përmes fuqisë së kujtesës vizuale./ KultPlus.com

Të ngjajshme