27 Qershor, 2018 - 11:00 am
Sapo hyn në galerinë “Zeta”, të rrëzohen të gjitha pikëpyetjet që mund të kesh rreth dikujt që nuk ishte marrë kurrë me pikturë dhe befas ka bërë aq shumë të tilla sa mund të hapë edhe një ekspozitë.
Ka kaq shumë luhatje gjendjesh shpirtërore, rënie, ringritje, frikë, përpjekje dhe janë të gjitha të shprehura në portrete që nuk i largohen asnjëherë tërësisht autores. Piktorja është Liliana Hoxha dhe kjo është ekspozita e saj e parë.
Siç ndodh me çdo rishtar të vendosur, që ka ‘ngecur diku’, ekspresionizmi gjendet në të gjitha telajot që duket se janë bërë me një frymë, vetëm për të çliruar krijuesen. Përfituam që ora e ardhjes së të ftuarve (në çelje të ekspozitës kishte vetëm familjarë të afërt e miq të ngushtë) nuk kishte shkuar ende, për të bërë një shëtitje nëpër të gjitha ndjesitë që Liliana Hoxha, nusja e Enver Hoxhës, ka hedhur me duar, pa spatula e pa penela, në telajo. Hijet e shëmbëllimet, ende pa e pyetur, të tregojnë që nuk mund të të largojnë shumë nga historia…
-Nëse do kalonim pak në të gjitha pikturat, nga doni t’ia nisim.
Kjo nuk është shumë e rëndësishme në rastin tim. Për çdo pikturë puna është krejt personale, por mendoj që imja është edhe më tepër sepse është shumë shpirtërore dhe unë jam udhëhequr vetëm nga ndjesitë e mia, për të dhënë mesazhe.
-Çfarë mesazhesh?
L. Hoxha: Mesazhet janë sociale, por secili bën interpretimin e tij.
-Ndihet prania juaj në çdo pikturë. Duket se portreti juaj është pak gjithandej…
L. Hoxha: Mendoj që puna e portretit është një gjë që më favorizon sepse nuk është e lehtë të shprehësh një fenomen me portret dhe kjo është pikërisht ajo që unë kam nisur të bëj.
-Çfarë ndodhi që nisët të pikturonit?
L. Hoxha: Historikisht, unë nuk jam marrë ndonjëherë me pikturë dhe as e kam menduar se do të pikturoja ndonjëherë. As e kam kërkuar, kam qenë veç artdashëse, siç ndjek gjithë artet e tjera. Mendoj që ka ardhur befas, por jo se nuk do ketë ndonjë arsye. Edhe unë jam befasuar.
-Cila mendoni se mund të ketë qenë arsyeja?
L. Hoxha: Ashtu si e kuptoj unë, arsyeja është trysnia e fortë që ka qenë brenda meje, për një aktivitet ekstrem që më është dashur për dhjetë vite të kaloj, pengesa të pafundme e të përballoj gjithçka. Ka qenë një sforcim ekstrem. Më në fund, kur unë e mbarova atë përballje, kam ndjerë, me sa duket, nevojën të çlirohem. Mirëpo, mbaroi vetëm përballja ime jo problemi, problemi vazhdon sepse ai i takon shoqërisë dhe këtë të fundit unë e kam parë në pikturë.
-Po u referoheni problemeve brenda familjes suaj?
L. Hoxha: Jam përpjekur ta trajtoj si probleme në tërësi, më gjerë se kaq sepse po të flasim për problemet brenda familjes sonë ka shumë shpërdorime. Ajo është familja jonë me emër, por nuk është familja jonë më, mendoj që nuk ka qenë asnjëherë. Përveç Enver Hoxhës, vetëm ai ka qenë familja ime…
-A gjendet ai diku mes figurave të pikturës suaj?
L. Hoxha: Nuk është nevoja që ta identifikojmë veçanërisht, secili e lexon vetë. Megjithatë, atje ku është ajo e mirë që mund të ketë qenë, ai patjetër është. Mendoj që pas një pune kaq të madhe, kur truri ngelet kaq i trysnuar dhe përpiqet të gjejë se si mund të çlirojë veten, aty në atë çast ndizet një llambë që nuk ka ekzistuar më parë dhe rezulton diçka, për të cilën ti nuk kishe menduar ndonjëherë.
-Cila ka qenë piktura juaj e parë?
L. Hoxha: Kjo është një ekspozitë me punë vetëm të vitit të fundit sepse unë kam tri vite që pikturoj, prandaj edhe këto janë të gjitha thuajse të reja. Unë punoj ashtu siç më vjen, me duar, vetëm në vaj. Nëse çasti vjen, ashtu mistershëm siç është, vazhdoj ta ndjek. Kjo është ekspozita e parë dhe bashkë me këto janë pikturat që janë të publikuar edhe në dy katalogë.
-Ngjyrat që shquhen kollaj ishin kështu që në fillim apo rrugës, apo duke mësuar e duke ndryshuar?
L. Hoxha: Ato erdhën që në fillim, madje, ndonjëherë përpiqem t’i zbus për mos të qenë shumë e ashpër. Mendoj që kjo gjë ishte për të dalë. Unë përpiqem të jap një shpjegim shkencor, por ekziston edhe shpjegimi mistik. Mendoj që kjo është një dhuratë.
-A ka në rrethin tuaj të afërm, njerëz që merren me pikturë, prej të cilëve mund të jeni nxitur të nisni të pikturoni?
L. Hoxha: Më vjen mirë që po flasim për këtë sepse ne as në familje nuk e kishim menduar, por më vonë rezultoi që mbesa ime e madhe, e cila studion për pikturë, të bënte një lidhje me mua… Djali i Shpatit gjithashtu vizaton, kuptohet, si çdo fëmijë 5 vjeç, por ai vizaton me mendim dhe jo figura të mamit apo babait. Kjo më çudit prej tij dhe mendoj që ai do të pikturojë një ditë sepse e dalloj që tani analizën e tij. Megjithatë, nëse nuk do të ishte profesor Ali Oseku, nuk do të kisha pasur guximin kurrë të bëja asgjë.
-Kujt ia keni treguar punët e para?
L. Hoxha: Ali Osekut, ai më ka përlotur që në fjalët e para dhe e dallova gëzimin në portretin e tij dhe ky mund të jetë vetëm reagimi njerëzor i një artisti të vërtetë. Ky është artisti, duhet të entuziazmohet, të gëzohet, përndryshe është një njeri i shkolluar që di të bëjë diçka. Ju zë shumë kohë puna me një pikturë.
-Kur vizatoni?
L. Hoxha: Piktura, për mua, është si fryma edhe ajo ecën shumë shpejt. Për dy orë thuajse e kam mbaruar. Me regjimin tim gjej kohën më të mirë, që është pasditeve, preferoj të mos dal dhe t’i kushtohem pikturës. Nëse e kam nisur diçka, nuk mund të dal kurrsesi deri sa kam mbaruar (Panorama)./ KultPlus.com