13 Nëntor, 2019 - 10:25 pm
Në kuadër të 75-vjetorit të Çlirimit, gjimnazi “Ismail Qemali”, nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar organizuan aktivitetin me titull “75-vjetori i Çlirimit në sytë e të rinjve”.
Pas këndimit të Himnit Kombëtar, gjimnazistët përmblodhën momentet kryesore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nëpërmjet informacioneve tekst dhe fotografik.
Pjesë e aktivitetit ishte debati midis vetë nxënësve, mbi këndvështrimet e kundërta për prirjet kryesore të vlerësimeve të ndryshme për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Pjesë e aktivitetit ishte historiani Beqir Shehu, i cili bëri një panoramë të përgjithshme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare mbi bazën e dëshmitarëve dhe dokumenteve arkivore.
Kryetari i Këshillit të Prindërve të kësaj shkolle, Bekim Murati, falenderoi nxënësit për temën e zgjedhur dhe referimet e nxënësve mbi një nga historitë ku populli shqiptar ishte pjesë e koalicionit antifashist.
Sonjela Babaliu, specialiste pranë Muzeut Historik Kombëtar, theksoi se ky aktivitet çeli një sërë aktivitetesh të muzeut në kuadër të 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Ajo shprehu vlerësim për punën e nxënësve dhe informacionin e sjellë. Muzeu Historik Kombëtar do të jetë gjithmonë i hapur për t’i pritur dhe ndihmuar.
Drejtoresha e gjimnazit “Ismail Qemali”, Rezarta Alla, tha se nxënësit duhet të dalin nga muret e shkollës dhe të japin mesazhe dhe tema të rëndësishme. Duhen evidentuar vlerat e vërteta të popullit shqiptar periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Promotor të këtyre aktiviteteve me natyrë historike kemi pasur gjithmonë Muzeun Historik Kombëtar. /KultPlus.com