7 Nëntor, 2019 - 2:31 pm
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë hapi ekspozitën e finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit që ndan çmimin për artistët e ri në fushën e arteve vizuele, pjesë e dhjetë çmimeve të ngjashme të organizuara në Evropën Qendrore dhe atë Lindore me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.
Çmimin “Artistët e së nesërmes” për vitin 2019 e kanë marrë artistët Somer Şpat, Edona Kryeziu, Dion Zeqiri. Puna kuratoriale është realizuar nga Vala Osmani dhe Albert Heta. Juria e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019, e përbërë nga Charles Esche, drejtor i Van Abbemuseum, Eindhoven, Qëndresë Deda – artiste, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, Adam Kleinman – Fondacionin Kadist Art, Sezgin Boynik – teoreticient dhe redaktor, Jelena Vesić – kuratore, shkrimtare, redaktore dhe ligjëruese, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019.
Somer Şpat është përzgjedhur në listën e ngushtë për projektin e tij të jashtëzakonshëm në lidhje me ngritjen dhe rënien e industrisë hekurudhore në Kosovë.
Qëllim i punës së Edona Kryeziu është të ekspozojë ndjenjat e zhvendosjes, ambivalencës së brendshme, vetë-mohimit dhe strategjive të mbijetesës që vijnë së bashku kur je subjekt diaspore.
Dion Zeqiri, i cili ka përfunduar studimet bachelor në dizajn enterier në Universitetin e Prishtinës, ka si praktikë pikënisjen e përvojës së tij personale. Ai ka punuar për të fuqizuar subjektet që përfshijnë emocione aktuale apo kushte fizike, duke hapur interpretime të reja rreth rrethanave dhe dukurive.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të jenë pjesë e një procesi specifik edukativ, të kenë takime dhe prezantime për një juri ndërkombëtare, mundësi që të marrin pjesë në një ekspozitë të përbashkët me finalistët e tjerë në Stacion – Qendrën për Art Bashkëkohor Prishtinë, por edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të New York-ut, për dy muaj qëndrimi në Residency Unlimited, dhe pas kthimit nga SHBA të kenë ekspozitë personale në Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë./21Media / KultPlus.com