25 Tetor, 2023 - 12:25 pm
Ekspozita “Mbi Lum”, një instalacion publik i artistes Abi Shehu dhe arkitektes Sara Rodiqi vjen këtë vikend.
Vepra bazohet në gjurmimin e shtratit të lumit Vellusha nëpërmjet audio-instalacioneve dhe skulpturave metalike. Duke e konsideruar materialitetin shprehës të akustikës për të prodhuar një formë të zgjimit estetik dhe ndijor të komunitetit, ky instalacion synon të rivendosë tonalitetin e një rryme të mohuar. Kjo punë është një ndërhyrje konceptuale që sjell nëntokën mbi sipërfaqe dhe synon të sjell tek qytetarët një vetëdije të re për qytetin përmes dëgjimit.
Pikë takimi kryesor është te shkallët poshtë rrethit të Arbërisë (afër Stadiumit “Fadil Vokrri”) për një ecje në rrjedhën e Lumit Vellusha. Kjo ecje do të udhëhiqet nga Abi Shehu dhe Sara Rodiqi drejt skulpturës kryesore në Sheshin Skenderbeu ku ato do të flasin më gjerë rreth hulumtimit dhe qasjes së tyre artistike. Të gjithë vizitorët e pranishem të cilët e kanë përjetuar periudhën e qytetit me lumë janë të ftuar të ndajnë tregime që kontribuojnë në memorie kolektive të qytetit të Prishtinës.
Ekspozita do të hapet të shtunën, 28 tetor, nga ora 16:00, dhe do të qëndroj e hapur deri me 25 nëntor, 2023.
Deri në fund të viteve ’40, qyteti i Prishtinës shtrihej mes dy lumenjve që dikur njiheshin si Vellusha dhe Prishtina (Prishtevka). Në vitet ’50, lumi Vellusha, që fillimisht rridhte nga kodrat e Gërmisë, u mbulua nga një sistem gypash. Më vonë në vitet ’70, të njëjtit fat iu nënshtrua lumi Prishtevka i cili rridhte nga pjesa perëndimore e qendrës së vjetër të qytetit. Si rezultat i mbulimit të tyre, lumenjtë e qytetit jo vetëm që mbetën të fshehur vizualisht, por u shndërruan në deponi mbeturinash, gjë që shkaktoi një biodegradim progresiv të florës dhe faunës së tyre. Kështu, në vitet ’80 Prishtina u bë qytet pa lumë. Ky fakt paradoksal është një pikë ankorimi i ndërhyrjes duke ditur rëndësinë e jetike të lumenjëve si burim hidroenergjetik.
Mbi Lum’ është një instalacion publik i artistes Abi Shehu dhe arkitektes Sara Rodiqi që shqyrton veprimet që ndikuan në shndërrimin e këtyre lumenjve në ujëra të zeza për kryeqytetin. Veprat bazohen në gjurmimin e shtratit të lumit Vellusha përmes audio-instalacioneve dhe skulpturave metalike. Duke e konsideruar materialitetin shprehës të akustikës për të prodhuar një formë të zgjimit estetik dhe ndijor të komunitetit, ky instalacion synon të rivendosë tonalitetin e një rryme të mohuar. Kjo punë është një ndërhyrje konceptuale që sjell nëntokën mbi sipërfaqe dhe synon të sjell tek qytetarët një vetëdije të re për qytetin përmes dëgjimit. Lumi, si pavetëdija e qytetit, simbolizon rrjedhat e ndrydhura të një mjedisi kompleks ku konstituohet realiteti psiko-emocional i banorëve të tij. Duke marrë parasysh ekzistencën e mohuar të lumit, instalacioni krijon një hartë akustike të rrjedhës së tij, duke arritur kështu një gjallërim estetik të strukturës sociale të qytetit. Skulpturat e krijuara ngjajnë me format e jetës bimore që dikur lulëzonin përgjatë rrjedhës së lumit në Prishtinë. Duke u nisur nga studimet e bimëve si forma arti nga artisti Karl Blossfeld, skulpturat rezonojnë me natyrën si burim i formave estetike dhe në mënyrat sesi shkatërrimi i saj prish marrëdhëniet e komunitetit, të bukurën dhe vetë jetën. Duke e bërë lumin edhe një herë të imagjinueshëm përmes dëgjimit, instalacioni bën një kthim simptomatik të lumit në analogji me kthimin e impulseve të shtypura në ndërgjegje.
Biografi
Abi Shehu (l. 1993 Lezhë, Shqipëri) është një artiste multidisiplinare, kërkimi artistik i së cilës mund të cilësohet si një arkeologji e pavetëdijes. Përmes kombinimit të artit vizual me atë mediatik, nga instalacionet tek arti zanor, ajo krijon peizazhe që mishërojnë dimensionet e papërfaqësueshme dhe të panjohura të njerëzve, shoqërive, vendeve dhe ngjarjeve historike. Puna e Shehut është ekspozuar në Hauser & Wirth, Menorca; Manifesta 14, Prishtinë; Galeria Zeta, Tiranë; ‘Në valë,’ me Gratë në Covid, e vende të tjera që përfshinë: Hapësira e Artit Bazament, Tiranë; Galeria e Bregdetit, Vlorë; EMOP, Berlin; Kino Rinia, Prishtinë; CLB, Berlin; dhe ArtHouse & Muzeu Marubi, Shkodër.
Sara Rodiqi (l. 1997) është arkitekte dhe dizajnere me bazë në Vjenë dhe Prishtinë. Ajo aktualisht është duke përfunduar Diplom-Ingenieur në drejtimin Arkitekturë dhe Inxhinieri në Universitetin Teknik të Vjenës, e specializuar në dizajn strukturor dhe fabrikim robotik. Praktika e saj përqendrohet rreth aplikimit të teknologjive bashkëkohore në prodhimin krijues. Rodiqi ishte pjesë e ekipit të produksionit të ekspozitës “Në skemën e madhe të gjërave” në Grand Hotel Prishtina në kuadër të Manifesta Bienales. Ekspozita shtrihej në tetë kate të hotelit dhe përfshinte shumicën e veprave të artit të Bienales. Ajo gjithashtu realizoi komisione të ndryshme arkitekturore rezidenciale dhe tregtare. / KultPlus.com