11 Dhjetor, 2017 - 1:44 pm
Artisti shqiptar çel ekspozitën “Me këto drita do të shërbehet nata” në Itali.
Ekspozita ka në qendër temën e emigrimit, të identitetit dhe të lëvizshmërisë. Ekzistenca interpretohet si një kërkim i vazhdueshëm, një lëvizje shumëvjeçare, dhe uji bëhet metaforë e idesë së fluksit dhe rrjedhjes. Do të qëndrojë hapur deri në shkurt 2018
Uji si metaforë e lëvizjes, fluksit, por edhe mundësisë së veprimit dhe reagimit. Është pikërisht kjo ideja në të cilën Adrian Paci është mbështetur për t’i dhënë jetë “Di queste luci si servirà la notte” (Me këto drita do të shërbehet nata), ekspozitës së tij personale, që është çelur në ambientet fiorentine, për të qëndruar hapur deri më deri në 11 shkurt 2018.
Çdo gjë rrjedh. Aforizma e famshme e Heraklitit, metaforë e ekzistencës si një monument i përjetshëm, është mendimi që i jep frymë ekspozitës së re personale të Adrian Pacit, e cila mbahet në katër ekspozita të ndryshme në Firence dhe përreth me titullin “Di queste luci si servirà la notte” nën kujdesin e Valentina Gensini-t. Në Firence është ekspozuar në disa nga sallat e Muzeut “Museo del Novecento” në sheshin “Santa Maria Novella” dhe hapësirat sugjestive të “Le Murate. Progetti Arte Contemporanea”, në rrugën Ghibellina. Ndërsa, dy hapësirat e tjera janë në vendet e Pelago-s dhe Montelupo Fiorentino, vetëm pak kilometra larg. Shkruan Shekulli.com. Ajo që bashkon tre vendet është lumi Arno pasi iniciativa nis në kontekstin e “Sensi Contemporanei”, një kantier hulumtimi që ka si qëllim krijimin e një parku lumor.
Ekspozita ka në qendër temat e emigrimit, të identitetit dhe të lëvizshmërisë, të gërshetuara me intensitet dhe poezi. Përshkruhen histori personale dhe risillen fakte dhe transformime të historisë së ditëve të vona, Paci tejkalon eksperiencën personale dhe trajton emigrimin dhe lëvizshmërinë si kusht ontologjik, ashtu edhe aktual në një moment historie, kur vetë konceptet e shtëpisë dhe identitetit (kulturor, politik dhe social) vihen vazhdimisht në diskutim. Ekzistenca interpretohet si një kërkim i vazhdueshëm, shkruajnë mediet italiane, një lëvizje shumëvjeçare, dhe uji bëhet metaforë e idesë së fluksit dhe rrjedhjes.
“Me këto drita do të shërbehet nata”, – shpjegon Paci, lind si një ndërhyrje në lumin “Arno” nëpërmjet një veprimi performues, por më tej puna spostohet drejt një reflektimi mbi dialogun dhe tensionin midis dritës dhe errësirës, mes sipërfaqes dhe thellësisë, mes të dukshmes dhe të padukshmes. Prezenca e njeriut është ajo që aktivizon këtë dialog pa pretenduar për të arritur në një konkluzion”. / KultPlus.com