21 Shtator, 2018 - 9:30 pm
Artistja Adriana Sedaj ka disa ditë që ka hapur ekspozitën e saj “Ku po shkon” në galerinë Shën Salvator në Austri.
Ajo përmes kësaj ekspozitë ka sjellë të publiku një temë e cila siç shprehet i shqetëson shumë vende në botë duke përfshirë edhe Kosovën. Në qendër të punimeve të saj është ndalimi i abuzimeve seksuale dhe respektimi i të drejtave të grave por jo vetëm këto.
“Duke dashur të prek temën e abuzimeve por dhe të shfaq kundërshtinë time prej artisti, zgjodha pikërisht vagjinën si semiologji, mes të cilës dua të protestoi kundër abuzueseve dhe mendësive që dominojnë në vendet dhe shoqëritë agresive, për t’ mos thënë primitive”, shprehet ajo.
Për artisten dashuria, femra dhe vagjina, janë trinomi që e fisnikëron një shoqëri, janë shtrati ku rritet e merr frymë njeriu dhe shtohet. Prandaj sipas saj abuzimi me to përbën vrasjen e shoqërisë dhe zhvillimit të saj.
“Protestoj për shenjtërinë e saj dhe kundër abuzimit që i bëhet, duke e dhunuar, fatkeqësisht shpesh e në emër të dashurisë. Jeta është me dashtë pa dhunë, pa abuzim, pa kushtëzim. Jeta është lule, bimë, e saj është edhe vagjina, që duhet dashtë, që fal frymë e zgjim”cilëson ajo.
Ekspozita “Quo vadis”apo shqip “Ku po shkon” nga Adriana Sedaj do të qëndrojë e hapur deri më 12 tetor./ KultPlus.com