28 Mars, 2019 - 2:17 pm
Në Muzeun Kombëtar të Kosovës është bërë sot hapja e ekspozitës “Hartografia europiane dhe territoret shqiptare” e autorit Afrim Ethemi, shkruan KultPlus.
Koleksioni “Hartat e Vjetra” i Afrim Ethemit tërheq vëmendjen ndaj kohës dhe ndryshimeve gjeografike. Ndërsa e kaluara zhduket, zhvillohet kujtesa dhe reflektohet mbi të, shenjat zbehen por dokumentacionet tregojnë një të vërtetë të të kaluarës.
I pranishëm në këtë ekspozitë ishte edhe ministri i Kulturës Rinis dhe Sportit, Kujtim Gashi i cili u shpreh se ekspozita të tilla me koleksione e harta nuk shohim shpesh sepse harta të tilla gjenden rrallë.
“Ekspozita të tilla me koleksione e harta nuk shohim shpesh sepse harta të tilla gjenden rrallë dhe janë të rralla, andaj kjo si sot që po shfaqet paraqet për mua si ministër por dhe për dikasterin që udhëheq një interesim për ti ofruar, paraqitur, promovuar dhe pasqyruar qytetarëve vlera historike dhe kulturorë për trashëgimin e popullit shqiptarë”, është shprehur Gashi
Gjithashtu i pranishëm ishte edhe dekani i fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli i cili tha se në një shoqëri si kjo e jona që ka një traditë të varfër koleksionesh, një koleksion i tillë është një burim i çmuar hartografik.
“Në një shoqëri si kjo e jona që ka një traditë të varfër arkivash, muzesh e koleksionesh, një koleksion kaq i veçantë me harta siç është ky koleksioni i Afim Ethemit është shumë më shumë se një koleksion privat i një koleksionuesi të pasionuar, këto harta të koleksionuara dhe të ruajtura me përkushtim nga Afrimi janë një burim i çmuar hartografik që na tregon si shihej dhe perceptohej Shqipëria dhe shqiptarët në vendet e botës perëndimore prej nga ishin hartuesit e këtyre hartave”, tha Dugolli.
Si përfundim pak fjalë tha edhe vet autori i kësaj ekspozite Afrimi Ethemi i cili u shpreh se këto harta pasqyrojnë kujtesën e së kaluarës për një popull i cili ende sot ballafaqohet me problemin e asaj ekzistence dhe asaj pyetje se ku kemi qenë dhe ku jemi tani dhe kush kemi qenë dhe kush jemi tani.
“Unë me këtë koleksion nuk pretendoj që ta jap këtë shpjegim por natyrisht u ofroj mundësin të tjerëve që ta gjejnë një rrugë e cila do të na drejtoj apo do të na shpjegoj se kush kemi qenë dhe kush jemi”, tha autori.
Kjo ekspozitë ka pasur një rrugëtim të gjatë që nga viti 2005 kur është hapur në Prishtinë dhe ka vazhduar në Shkup në vitin 2007, në vitin e kaluar ka qenë edhe në Tiranë dhe përsëri është kthyer në Prishtinë.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më datë 04 prill. “Hartografia europiane dhe territoret shqiptare” është organizuar nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, Fakultetit Filozofik Dega Histori dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinis dhe Sportit. / KultPlus.com